Kanë mbërritur në Itali mbetjet trupore të gjetura në automjetin e djegur në Pukë të biznesmenit italian Davide Pecorelli. Ato, do t’iu nënshtrohen të gjitha analizave për të parë nëse i përkasin biznesmenit apo jo.
Bëhet me dije se Pecorelli, kishte ardhur muaj më parë në Shqipëri për të investuar në fushën e kozmetikës, por mjeti të cilin ai e kishte marrë me qira në Rinas, u gjet i djegur në Pukë. Brenda mjetit u gjetën dhe disa mbetje trupore, të cilat dyshohet si i përkasin biznesmenit italian.
Mësohet se me të mbërritur në Romë, mostrat po analizohen në laboratorë e Policisë shkencore dhe po krahasohen me ADN e fëmijëve të Davide Pecorellit, 3 fëmijë me bashkëshorten e parë italiane dhe 1 fëmijë nga partnerja shqiptare.
Kryeprokurori i Perugias Raffaele Cantone, ka hapur dosjen hetimore për vrasje të qëllimshme kundër personave të panjohur dhe trafik droge. Ndaj akuzës së fundit ka një sekret të rezervuar hetimesh.
Gjithashtu edhe nga Prokuroria shqiptare po heton një pistë tjetër, atë të ekzekutimit të biznesmenit. Pecorelli dyshohet se aktivitetin e tij të tregtimit të produkteve kozmetike e përdorte për transport lëndësh narkotike, ndaj ai mund të jetë vrarë për shkak të aktivitetit kriminal.
Ndërkohë ka dyshime të forta se zhdukja e biznesmenit Davide Pecorelli ka të bëjë me një eleminim për shkak të aktiviteteve të tij.