×
  • Lajme
  • Shqipëria / Zgjedhjet në Shqipëri

    Mbi 3.7 milionë shqiptarë nesër vendosin për qeverisjen e ardhshme

    Reporteri
    10 Maj 2025 | 17:46

    Në Shqipëri që nga mesnata ka filluar heshtja zgjedhore, ndërsa sot është ndaluar çdo aktivitet politik publik në përputhje me ligjin zgjedhor, që garanton një ditë qetësie për qytetarët përpara ditës së zgjedhjeve.

    Ndërkohë, sot po bëhet shpërndarja e materialeve në të gjitha qendrat e votimit, nën masa sigurie dhe përfaqësuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KZAZ- ve dhe forcave të rendit.

    KQZ-ja ka kërkuar nga partitë politike që të respektojnë heshtjen zgjedhore, të cilat nuk duhet të adresojnë në asnjë formë mesazhe politike apo elektorale.

    Nesër më 11 maj, mbi 3.7 milionë shqiptarë të regjistruar me të drejtë vote do tu drejtohen rreth 5 mijë qendrave të votimit, për të vendosur për Kuvendin e ri dhe qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë.

    E në këto zgjedhje për herë të parë voton edhe diaspora me rreth 245 mijë emigrantë të regjistruar.

    Në garë janë 11 subjekte apo koalicione politike që garojnë me 2 mijë e 46 kandidatë për 140 vende në Kuvendin e Shqipërisë.

    Beteja më e fortë në këto zgjedhje është mes dy forcave më të mëdha politike, Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama dhe Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha.

    Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, KQZ, SPAK dhe Proluroria e Përgjithshme kanë ngritur një Task-Forcë të përbashkët për të garantuar një proces të qetë zgjedhor.

    Gjithashtu, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash dhe ka trajnuar pjesëtarë të policisë e specialistë për hetimin e krimeve zgjedhore dhe ruajtjen e objekteve zgjedhore.

    Për këto zgjedhje është miratuar një sistem i ri zgjedhor, që përfshin një kombinim të listave të mbyllura dhe të hapura.

    Në Shqipëri janë 12 zona zgjedhore dhe numri i mandateve të deputetëve për çdo zonë varion nga 3 mandate për Qarkun e Kukësit dhe deri në numrin më të madh të mandateve, në 37 për Qarkun e Tiranës.

    Në rang vendi, çdo subjekt zgjedhor ka kandiduar 46 emra në listën e mbyllur dhe 140 të tjerë për listën e hapur. Ata janë të shpërndarë sipas qarqeve në varësi të mandateve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!