Pa humbur kohë, presidenti Ilir Meta ka dekretuar emërimin në detyrë të dy ministrave të rinj, Bledi Çuçi dhe Milva Ekonomin.
Emrat e ministrave të rinj nga qeveria i kanë shkuar presidentit mëngjesin e sotëm, ndërsa kreu i shtetit i ka dekretuar menjëherë, duke mos u bërë kështu pengesë.
Kështu, pas shkarkimit të Sandër Lleshajt, në krye të ministrisë së Brendshme do të jetë Bledi Çuçi, ndërsa në vendin e tij te ministria e Bujqësisë do të jetë Milva Ekonomi.
Ky dekretim i menjëhershëm nga ana e presidentit Ilir Meta, ka bërë që me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, të ndryshohet rendi i ditës. Për pasojë, 2 ministrat e rinj do të votohen në seancën e sotme parlamentare.
Këto ndryshime erdhën pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie. Për këtë arsye, Rama propozoi në vendin e tij Bledi Çuçin dhe në krye të ministrisë së Bujqësisë, Milva Ekonomin!
Kush është Bledi Çuçi
Bledi Çuçi, i propozuar nga Kryeministri si ministri i ri i Punëve të Brendshme, deri më tani ka qenë ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që prej janarit 2019. Ai ka lindur në Tiranë, më 14 nëntor 1970. Ai ka një djalë, Endi Çuçi. Ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 1998, studimet pasuniversitare (Master) për Menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë.
Prej shtatorit të vitit 2013 e deri në mars 2017, z. Çuçi ushtroi detyrën si Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit. Në këtë detyrë, ai udhëhoqi punën për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Administrative Territoriale, një nga reformat më të suksesshme të mandatit të parë të qeverisë Rama. Prej tetorit të vitit 2016, z. Çuçi është i deleguari politik i PS për qarkun Gjirokastër; prej janarit 2018 shërben si Sekretar për Çështjet Zgjedhore dhe anëtar i Kryesisë së PS, ndërsa në korrik 2018, u zgjodh anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, duke kryesuar listën e anëtarëve të Kuvendit që përfaqësojnë qarkun Gjirokastër për PS.
Kush është Milva Ekonomi
Milva Ekonomi, e cila pritet të jetë ministrja e re e Bujqësisë në vend, ka lindur më 3 dhjetor 1962. Ajo është diplomuar për Financё Kontabilitet në Universitetin “Aleksandёr Xhuvani” në Elbasan. Në vitin 2016 ajo mori postin e ministres së Ekonomisë. Para se të merre drejtimin e këtij dikasteri të rëndësishëm Ikonomi ishte zv. ministre e Shëndetësisë. Ajo njihet edhe për drejtimin prej 10 vitesh të Institutit të Statistikave.