Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj në kuadër të një vizite zyrtare në Berlin është takuar me Ministrin gjerman të Shtetit për Çështje Evropiane, Michael Roth.
Në këtë takim ndër të tjera është diskutuar edhe për dhunën e përdorur në protestat e opozitës kundër Qeverisë Rama.
Ministri Gjerman, Roth pas takimit ka thënë se është shumë i shqetësuar me protestat e fundit të opozitës. Ai ka dërguar mesazh të qartë për opozitën se dhuna është absolutisht e papranueshme, shkruan Reporteri.net.
Roth ka siguruar Ministrin Cakaj se vazhdojnë të përkrahin fuqishëm perspektivën euroatlantike të Shqipërisë.
“U takuam me Gent Cakajn në një moment vendimtar: Jam shumë i shqetësuar për dhunën e përdorur në protestat e opozitës. Mesazh i qartë për opozitën: dhuna është plotësisht e papranueshme. Ndërkohë ne vazhdojmë përzemërsisht të përkrahim perspektivën evropiane të Shqipërisë. Duhet t’i mbajmë premtimet tona”, ka shkruar ministri gjerman në llogarinë e tij në Twitter.
Ndryshe edhe ambasadorët e shteteve evropiane në Shqipëri kanë dalë me deklarata të ashpra ku dënonin përdorimin e dhunës nga ana e partive opozitare gjatë protestave. /Reporteri.net