×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Miratohet ekstradimi drejt Shqipërisë i biznesmenit italian Davide Pecorelli

    Reporteri
    31 Mars 2025 | 12:21

    Biznesmeni italian Davide Pecorelli i cili inskenoi vdekjen e tij në Pukë për t’i shpëtuar borxheve, do të ekstradohet në Shqipëri. Sipas mediave italiane, ministri i Drejtësisë Carlo Nordio ka miratuar përfundimisht ekstradimin e tij në Shqipëri.

    Pas kësaj, Pecorelli ka folur për “Il Messaggero Umbria”, duke thënë se është i shqetësuar për fëmijët, babain dhe vëllain e tij.

    “E pranoj, por jam seriozisht i shqetësuar për katër fëmijët e mi, dy prej të cilëve janë të mitur, babai im 90-vjeçar dhe vëllai im 60-vjeçar, të dy me aftësi të kufizuara. Një vendim i vështirë për të pranuar më bën të mendoj për një plan përndjekjeje.

    Nuk e kam mohuar kurrë të kem kryer krime në Shqipëri dhe kam kompensuar dëmet përtej vlerës së tyre, si në rastin e makinës që i kisha vënë flakën. Nuk kam precedentë penalë dhe jam ish-oficer ushtrie, një sipërmarrës që u kam dhënë punë qindra njerëzve të tjerë”, tha ai.

    Gjykata e Apelit e Perugias i dha dritën jeshile në maj të vitit të kaluar ekzekutimit të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar më 2 tetor 2022 nga gjykata e Shkodrës, që e dënoi me 4 vite burg me akuzën e mashtrimit, zjarrvënies dhe shpifjes.

    Davide Pecorelli u zhduk në janar të 2021 Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. E teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare u ngritën në këmbë për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë në një gomone pranë ishullit Montecristo, duke tronditur jo pak e duke sjellë në vëmendje edhe “historinë” e tij se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë përgjatë 9 muajve që ishte shpallur i zhdukur.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!