×
  • Lajme
  • Shqipëria / Video

    Në Kuçovë përurohet baza ajrore e NATO-s, Rama njofton se sot do ta bëjnë fluturimin e parë dronët Bayraktar

    Reporteri
    04 Mars 2024 | 8:03

    Sot do të përurohet baza ushtarake e NATO-s në Kuçovë.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar disa pamje, ku edhe ka njoftuar se dronët Bayraktar do ta bëjnë fluturimin e parë në ceremoninë e hapjes së bazës së e ajrore të NATO-s.

    “Mirëmëngjesi dhe me disa momente nga montimi i dronëve Bayraktar, që do të bëjnë fluturimin e parë në ceremoninë e çeljes së bazës së re ajrore të NATO-s sot në Kuçovë, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama sipër videos së publikuar në llogarinë e tij në Facebook.

    Ndryshe, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi të dielën deklaroi se përurimi i kësaj baze është një hap i fuqishëm.

    “Inaugurimi i Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë, një hap i madh në fuqizimin e kapaciteteve tona ushtarake. Ky zhvillim i rëndësishëm jo vetëm që rrit profilin tonë në skenën ndërkombëtare, por gjithashtu forcon angazhimin tonë për paqe dhe siguri në rajon”, kishte thënë ministri.

    Në ceremoninë për përurimin e bazës ajrore do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të SHBA-së.

    Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90.

    Pas rikonstruksionit të bazës së Kuçovës, Qeveria e kryeministrit Edi Rama kërkoi që të procedohet sa më shpejt në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për ta bashkëfinancuar me NATO-n rikonstruksionin e bazës së re detare në Porto Romano.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!