Ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për faljen e gjobave të vendosura gjatë periudhës nga 1 janari 2015 deri më 30 nëntor 2024. Vendimi, i publikuar në Fletoren Zyrtare, përcakton procedurat që duhet të ndjekin institucionet për shfuqizimin e masave administrative të paekzekutuara, sipas ligjit nr. 127/2024, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar.
Vendimi u miratua nga Këshilli i Ministrave tre ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, ndërkohë që në nenin 3 të ligjit përcaktohej që ky vendim duhej të hynte në fuqi brenda 10 ditëve nga miratimi i ligjit.
Qytetarët kanë në dispozicion 30 ditë për të kërkuar fshirjen e gjobave. Sipas vendimit, të gjitha institucionet përkatëse — përfshirë Inspektoratet Vendore të Mbrojtjes së Territorit, Policinë Bashkiake, IKMT-në, AKU-në, Inspektoratin Shëndetësor dhe Policinë e Shtetit — kanë detyrimin që brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të përgatisin dhe të dorëzojnë listat e subjekteve të ndëshkuara, të cilat përfitojnë nga falja.
Këto lista miratohen nga drejtuesit e institucioneve dhe i kalohen njësive të vetëqeverisjes vendore apo strukturave përgjegjëse për heqjen e detyrimeve nga regjistrat dhe sistemet zyrtare.
Procesi i fshirjes nga listat e debitorëve duhet të përfundojë brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit, përveç rasteve të parashikuara në pikën 3 të kreut III, për të cilat afati është 80 ditë.
Shpenzimet administrative për realizimin e këtij procesi do të mbulohen nga vetë institucionet përkatëse.
Vendimi për faljen e gjobave erdhi si propozim i 35 deputetëve të Partisë Socialiste.