×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Nga debati për rërën te krismat – si ndodhi tragjedia e Velipojës

    Reporteri
    27 Qershor 2021 | 22:19

    Një konflikt verbal mes dy familjeve në Velipojë të Shkodrës, do të kthehej në tragjedi mesnatën e djeshme, duke tronditur të gjithë vendin.


    4 persona, mes tyre dy vëllezër dhe një i ri vetëm 20 vjeç, u vranë nga breshëria e plumbave.

    Pikënisja e gjithçka ka qenë një sherr për disa shezlongë në plazhin e Velipojës.

    Nga kjo ngjarje kanë humbur jetën: Kujtim Ferracaku, Xhovani Gocaj, Edmond Gocaj dhe Myzerim Zeneli.

    Ndërsa të plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku dhe Elmedin Tyli. Ky i fundit vetëm 17 vjeç.

    I gjithë konflikti ka nisur teksa dy familjet Gocaj pronarë të hotel “Gocaj” dhe Ferracaku, që zotërojnë hotel “Fantazia”, po ndanin rërën për të vendosur çadrat e e plazhit. Të dy hotelet ndodhen nga njëri-tjetri në një distancë prej 50 metra.

    Gjithçka nisi si një konflikt verbal, më pas palët nxorën armët dhe i morën jetën njëri-tjetrit. Mes viktimave është edhe Myzerim Zeneli, punonjës i shezlongëve dhe kamarier te hoteli i vëllezërve Gocaj, vetëm 20 vjeç.

    Xhovani Gocaj, 25-vjeçari që u vra

    Mendohet se në vendin e ngjarjes është shtënë nga disa armë, ndërsa FNSH dhe RENEA-t po krehin zonën duke kërkuar të përfshirët e tjerë në konflikt. Deri më tani janë sekuestruar kamerat e sigurisë të të dy hoteleve për të krijuar një panoramë më të qartë të ngjarjes së rëndë.

    Dinamika e krimit të rëndë hap pas hapi

    Ferracaku shkoi të sqaronte sherrin te hoteli “Gocaj”

    Kujtim Ferracaku i shoqëruar nga vëllai i tij, Hasan Ferracaku dhe nga disa persona të tjerë, shkuan të sqaronin sherrin për rërën te pronarët e hotelit Gocaj, Xhovani dhe Edmond Gocaj.

    Mes dy familjeve kishte pasur më herët debate dhe përplasje verbale për vendosjen e çadrave të plazhit, në hapësirën përpara hotelit.

    Të dy familjet pretendonin pronësinë e rërës dhe akuzonin njëri-tjetrin se kishin zënë hapësirën.

    Edhe dje pasdite mes dy familjeve ka patur fërkime, ndërsa nuk kanë munguar edhe konfrontimet fizike. Por më e keqja nuk kishte ardhur ende. Në vend të fjalëve dhe sqarimit për çështjen që kishte sjellë konfliktin, palët nxjerrin armët dhe shkrehin karikatorët drejt njëri-tjetrit, duke sjellë atë që tashmë njihet si tragjedia e Velipojës.

    Nga përplasja me armë u vranë dy vëllezërit Gocaj

    Xhovani Gocaj, 25-vjeçari që u vra

    Xhovani Gocaj 25 vjeç dhe Edmond Gocaj 38 vjeç, janë dy vëllezërit, pronarë të hotel “Gocaj” në Velipojë, që u vranë mbrëmjen e kaluar, gjatë konfliktit me fisin Ferracaku. Babai i dy vëllezërve i përlotur foli sot për mediat, ku deklaroi se Kujtim e Hasan Ferracaku kishin shkuar te hoteli të armatosur dhe jo për të biseduar për zgjidhjen e konfliktit. Ai tha se i pari që është qëlluar me armë zjarri ka qenë djali i tij i madh, Edmond Gocaj i cili me letra angleze, ishte kthyer në Velipojë për të investuar. Në këtë përplasje humbi jetën edhe punonjësi i hotelit “Gocaj”, Myzerim Zenelin i cili ishte kamarier, si dhe Kujtim Ferracaku, vëllai i Hasan Ferracakut dhe babai i të ekzekutuarit në 2018, Arjan Ferracaku.

    Kujtim Ferracaku, babai i Arjan Ferracakut i vrarë në 2018

    Viktimë e ngjarjes së djeshme mbeti Kujtim Ferracaku, pronar i hotel “Fantazia” në Velipojë. Ai është babai i Arjan Ferracakut i ekzekutuar gjithashtu, në prill të 2018-ës, teksa po bënte gara me kuaj në fushën e hipizmit në Shkodër. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një person i paidentifikuar. Ngjarja dhe autorët mbeten të pazbardhur edhe sot e kësaj dite, por shkaqet mendohen se lidhen me konfliktet mes familjeve të përfshira në biznese të ndryshme dhe në ndarjen e bregdetit të Velipojës, i cili prej vitesh është kthyer në mollë sherri.

    Viktimë edhe një 20-vjeçar

    Dita e parë e punës do ishte dhe e fundit për Myzerim Zenelin! 20-vjeçari është një prej viktimave të ngjarjes tragjike në Velipojë. Ai kishte nisur punë si kamarier në Hotel “Gocaj” ditën e djeshme dhe fatkeqësisht dita e parë e punës e tij do të ishte edhe dita e fundit e jetës për të. Zeneli ndodhej prezent kur dy familjet Ferracaku dhe Gocaj janë konfliktuar me armë ndërkohë që si pasojë e plagëve nuk ka mundur të mbijetojë.

    Ai vdiq, si pasojë e konfliktit mes pronarëve të dy hoteleve. Ferracaku, pronari i Hotel “Fantazia” u përplas me armë me vëllezërit Gocaj, pronarë të hotelit “Gocaj”. Bizneset e tyre ndodheshin vetëm 50 metra larg njëri-tjetrit. Kujtim Ferracaku i shkoi mbrëmjen e djeshme familjes Gocaj për t’u sqaruar, mirëpo debati mes tyre u përshkallëzua në përdorimin e armës. I pafajshmi në këtë histori ishte Myzerim Zeneli, 20-vjeçari që sapo nisi punë, mirëpo nuk mundi që ta gëzonte për më gjatë atë pozicion. /mapo.al/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!