×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Nga e hëna nis testimi i ri në Shqipëri për koronavirusin

    Reporteri
    18 Prill 2020 | 17:18

    Një testim i ri serologjik do të nisë të kryhet nga java tjetër në laboratorin e dytë që do të jetë gati edhe për testimet për COVID19, laboratori i Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza.


    Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit të laboratorit mikrobiologjik të QSUT-së, i cili do të kryejë testin e ri për konfirmimin e diagnozës dhe vlerësimin e imunizimit, duke filluar nga grupet e rrezikut.

    “Komiteti Teknik i Ekspertëve i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë për epideminë e koronavirusit, ka vendosur që të përfshijë një testim të ri, që është testimi serologjik, i cili do të nisë pikërisht nga grupet e rrezikuara, siç janë mjekët, por edhe strukturat e policisë. Janë përcaktuar protokollet dhe nga dita e hënë do të nisë testimi i ri”, tha Manastirliu.

    Në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë siguruar aktualisht 6 mijë teste, që janë disponibël. E gjithë struktura e laboratorit e çertifikuar dhe është e ngritur për të filluar këtë testim të ri.

    Duke theksuar se testimi serologjik do të kryhet në QSUT por nën lidershipin e Instutit të Shëndetit Publik, Manastirliu tha se mbetet prioritet mbrojtja e personelit shëndetësor.

    “Dua të them që mbetet prioritet për ne mbështetja dhe mbrojtja e stafit tonë të shëndetësisë. Prandaj dhe ky testim serologjik për të vlerësuar krijimin e antitrupave do të fillojë në grupet më të riskuara që janë personeli mjekësor dhe gjithashtu grupet që janë në shërbime siç janë policia e shteti e të tjerë”, tha ministrja.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!