Ka nisur Manifestimi i thirrur nga Presidenti Ilir Meta, ku mijëra persona, me flamuj e mimoza në duar, i janë bashkuar thirrjes së Kreut të Shtetit, për të dalë në “mbrojtje të Kushtetutës”.
Në Manifestim do të flasin disa personalitete të shquara, ndërsa Presidenti Meta do të mbajë fjalën e tij në fund, ku pritet të firmosë publikisht edhe një dekret.
Sikurse shihet nga foto një pjesë e mirë e numrit të policëve kanë zbritur në ambientet para kryeministrisë, gjithashtu makinat ujë hedhëse dhe ato të blinduara janë futur në ambientet e Kryeministrisë.
Në sheshin përpara godinës së Presidencës është ngritur podiumi në të cilin pritet të flasë Presidenti Ilir Meta dhe një sërë personazhesh të tjerë, kundër asaj që e quajnë, grushti i shtetit nga qeveria ndaj institucioneve kushtetuese të vendit.
Manifestimi i lajmëruar nga Presidenti Ilir Meta ka bërë që edhe Policia të marrë masat e saj për të garantuar rendin dhe mbarëvajtjen gjatë manifestimit. Kordonët dhe efektivë të shtuar policie janë vënë re në bulevard, teksa pritet që të jenë rreth 1000 forca policie që do angazhohen në këtë tubim.
Ndërsa në tubim shihen edhe qytetarë me maska mbrojtëse si pasojë e frikës nga koronavirusit.