×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Oligarku i akuzuar për shkatërrimin e Brezovicës implikohet në aferën Veliaj

    Reporteri
    13 Shkurt 2025 | 14:19

    Gentian Sula, një nga pesë biznesmenët nën hetim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) për përfshirje në aferën korruptive të Erion Veliajt, është një nga investitorët e akuzuar për shkatërrimin e Brezovicës.

    Emri i Sulës është i përmendur në dosjen e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për shkatërrimin e Parkut Kombëtar Sharri.

    Në aktakuzën e Prokurorisë, Sula akuzohet se përmes kompanisë “Stella Construction”, ku aksionar është edhe publicisti Veton Surroi, ka kryer veprën penale ndotje, degradim dhe shkatërrimi i mjedisit.

    Kundër Sulës ka nisur një proces gjyqësor, rrezikon që të dënohet nga 1 deri në 8 vite burgim.

    Sula akuzohet se nga viti 2012, në zonë turistike të Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, si investitor i ndërmarrjes “Stela Consulting” SHPK me seli në Prishtinë, ka degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica”.

    Ai, akuzohet për kontraktimin e kryesve të punëve “Quka CO” me pronar Alban Quka, për ndërtimin e 22 vikend-shtëpizave, duke bërë gërmime dhe prerje të pyjeve në kundërshtim me Ligjin.

    I akuzuari për shkatërrimin e Brezovicës, i përfshirë në një skemë korruptive me kryebashkiakun e Tiranës, është njëri nga njerëzit më të fuqishëm të biznesit në Shqipëri, i pasuruar në forma të dyshimta të favorizimit nga pushteti i Edi Ramës.

    Sula, merret edhe me ndërtime në Shqipëri.

    Pikërisht me kompaninë ndërtimore të cilën e drejton në Tiranë, “Agi Kons” Sh.P.K., Sula dyshohet se është përfshirë në një skemë korruptive të përfitimit të paligjshëm të pasurisë me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

    Veliaj u arrestua të martën në një aksion të Byros Kombëtare të Hetimit, me urdhër të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK). Në të njëjtën ditë, SPAK lëshoi masë të detyrimit të paraqitjes ndaj biznesmenit Sula dhe katër afaristëve të tjerë.

    Sula dyshohet për një rast korrupsioni i cili ndërlidhet me dhënien e përfitimeve nga Kompania “Agi Kons” Sh.P.K në favor të Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.

    Kjo Kompani, gjatë kohës që dhuronte këto fonde, siguroi një kontratë të majme me Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e shkollës “Qazim Turdiu”, me vlerë mbi 362 milionë lekë, si dhe një lejendërtimi për një Kompleks banimi, nënshkruar nga vetë kryebashkiaku Veliaj.

    “Agi Kons” e Sulës dyshohet se ka fituar disa tenderë publikë të rëndësishëm nga Bashkia e Tiranës – përfshirë rehabilitimin e Parkut Rinia, ndërtimin e Teatrit të Kombëtar dhe një PPP për ndërtimin e shkollave në Kryeqytet.

    Nga veprimet paraprake, SPAK ka konstatuar se lidhjet e Veliajt me biznesmenin janë të vjetra dhe se ata kishin udhëtuar së bashku me avion charter nga aeroporti i Rinasit, që në vitin 2004.

    Hetimet paraprake kanë treguar gjithashtu se vëllai i Kryebashkiakut, Arbër Veliaj posedon një vilë në Qerret, të ndërtuar nga “Agi Kons”, ndërsa bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa ka deklaruar një apartament në Rezidencën “Kodra e Diellit”, gjithashtu e ndërtuar nga e njëjta kompani. /Paparaci/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!