Oligarku shqiptar, Shefqet Kastrati, kompania e të cilit mbledh taksën prej 10 eurove që paguajnë kosovarët të cilët udhëtojnë drejt Shqipërisë (5 euro një drejtim), raportohet se i ka blerë 60% të aksioneve të Euronews Albania, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Shefqet Kastrati do të jetë zyrtarisht investitori kryesor i kompanisë mediatike “Euronews Albania”, pasi ka blerë 60% të aksioneve të kompanisë, të cilat i përkisnin biznesmenit shqiptar Theodori Çami, kanë raportuar të hënën mediat shqiptare.
Oligarku shqiptar me ketë investim bëhet aksionari më i madh i filialit të Euronews në Shqipëri. Gjiganti mediatik “Euronews”, me seli qendrore në Lyon të Francës, zotëron 40% të aksioneve tjera të Euronews Albania.
Ndonëse raportohet se pas blerjes së Euronews Albania nga oligarku Kastrati, gjoja “asgjë nuk do të ndryshojë në aspektin menaxherial të medias ose në stafin e tyre”, mbetet të shihet kjo gjatë ditëve në vijim.
Shefqet Kastrati është biznesmen i njohur në Shqipëri, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Kryesisht ai njihet për lidhjet e tij të ngushta me politikën dhe Kryeministrin Edi Rama.
Oligarku Shefqet Kastrati është me prejardhje nga Kukësi. Ai është pronar i “Kastrati Group”, dhe llogaritet si njëri ndër personat më të pasur në Shqipëri.
Ai në kuadër të Kastrati Group, ka edhe bizneset Kastrati SHA, Kastrati, Albsig, ASA Autostar Albania, Kastpetrol etj.. E tash së fundi korporatës së tij do t’i shtohet edhe Euronews Albania.
Falë lidhjeve të tij të ngushta me Edi Ramën, Kastrati e ka fituar edhe tenderin e mirëmbajtjes së “Rrugës së Kombit”, rrjedhimisht prej më shumë se tre vitesh kompania e tij llogaritet se i përfiton milionat në muaj nëpërmjet taksës 10 Euro të vënë për kosovarët të cilët udhëtojnë drejt Shqipërisë (5 euro një drejtim).
Sipas raportimeve të mediave shqiptare, Shefqet Kastrati në vazhdimësi ka fituar kontrata me miliona lekë me institucionet shqiptare për karburantin që tregton. /Reporteri.net/.