Humbjet në sektorin e turizmit përllogaritet të kapin shifrën e 1.5 miliard eurove, ndaj dhe operatorët kërkojnë ndihmë. Në takimin e zhvilluar këtë të martë ata nënshkruan peticionin me 6 kërkesa për ndohmë financiare, ndërsa theksuan se mosrealizimi i tyre, do të sjellë protesta.
Përfaqësuesit e sektorit të turizmit organizuan një takim, ku firmosën një peticion me 6 kërkesa për tu rimëkëmbur, pasi sipas tyre, humbjet e deritanishme kapin shifrën e 1.5 miliard eurove. Ata kërkuan anulim të taksave deri në fund të vitit, vazhdimësi të ndihmës financiare, zbritje të TVSH-së, por dhe bonuse për turistët.
”Paketa e parë dhe paketa e dytë nuk kanë qenë efektive për industrinë turistike. Është e pamundur që një indusri turistike dhe e udhëtimit, të marrë kredi me interesa deri në 55 për të paguar punonjës që nuk punojnë, dhe për të paguar kosto që rëndojnë biznesin pa punuar.”
Njëzëri, theksuan se qeveria do të ketë 10 ditë kohë për realizimin e kërkesave, pasi në të kundërt do të nisin protestat.
”I kemi konsumuar bisedat apo takimet me ministrat dhe nuk është se kemi parrë një përgjigje reale ose zgjidhje reale. Kërkesat tona kanë kosto në buxhet dhe janë jashtë fuqisë apo kompetencave të një ministri.”
Situata e vështirë në të cilën ndodhen, solli debate edhe mes tyre.
Ata theksuan se rezervimet janë anuluar të gjitha, ndërsa shpresa e tyre po qëndron vetëm te akomosimet e ngrira, që përllogarien të jenë në masën e 20%.
Në peticion konkretisht kërkohet:
Çlirimin e bizneseve të turizmit nga të gjitha detyrimet fiskale deri në 31 dhjetor 2020 (përfshirë taksat lokale dhe taksën e pronës).
Subvencionimin e pagave edhe për punonjësit e bizneseve të mëdha turistike të larguar nga puna pas datës 10 prill 2020.
Ngrirjen e kësteve dhe krijimi i kushteve për kreditë të buta për sektorin e akomodimit. Propozojmë të shtyhen afatet e pagesave të kredive të paktën deri në 30 mars 2021, qeveria duhet të mbulojë me grante nga BE interesin e stokut të kredive në këtë industri. Të rritet kapitali i garancisë sovrane dhe tu krijohet mundësi kreditimi hoteleve nga kjo garanci deri 20% të të ardhurave të realizuara në vitin 2019 me interes zero dhe gjatë periode deri në 2 vjet në mënyrë që të shpëtojë falimenti.
Mbështetje nga qeveria me pagesa të sigurimeve shoqërore të hoteleve që kanë profil sezonal dhe kryesisht ato që nuk kanë biznes të dytë gjatë periudhës së dimrit.
Zbritja e TVSH nga 20% në 10 % edhe për hallkat e tjera të turizmit që nuk janë përfshirë në reduktimin e TVSH. Stimuli i turizmit të brendshëm nëpërmjet subvencioneve
Bonus për turistët vendas që do bëjnë pushime në Shqipëri.
Ata shprehen se brenda 10 ditësh do të kenë takim me kryeministrin për të marrë përgjigje. Nëse nuk marrin përgjigje, do të vazhdojnë me protestat përpara kryeministrisë.