×
  • Lajme
  • Shqipëria / Shqipëri

    Opozita proteston sërish para bashkisë së Tiranës, SHBA dhe BE i dënojnë aktet e dhunës

    Reporteri
    19 Prill 2024 | 15:56
    Dera e hyrjes e ndërtesës së bashkisë së Tiranës e dëmtuar si pasojë e zjarrit të koktej molotovit të hedhur nga protestuesit gjatë një proteste të thirrur nga opozita të premten më 19 prill. Foto: REL

    Protestuesit hodhën koktej molotovi para ndërtesës së bashkisë së Tiranisë dhe u përpoqën ta thyenin kordonin policor për t’u futur brenda saj gjatë një proteste të re të thirrur nga opozita të premten. Aktet e dhunës kanë nxitur reagime nga Ambasada amerikane dhe zyra e Bashkimit Evropian në Shqipëri, shkruan Radio Evropa e Lirë

    Opozita po kërkon përmes protestave largimin e kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj, dhe përballjen e tij me drejtësinë.

    Kjo ishte protesta e tretë që është mbajtur para bashkisë së kryeqytetit shqiptar, prej arrestimit në fund të marsit të pesë drejtorëve dhe ish-drejtorëve bashkiakë nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tenderë.

    Protesta janë thirrur nga Rithemelimi, grupimi më i madh i deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë brenda Partisë Demokratike, dhe Partia e Lirisë e ish-presidentit, Ilir Meta. Atyre iu bashkuan më vonë edhe përfaqësues nga “Aleanca Kundër Shembjes së Teatrit Kombëtar” dhe qytetarë.

    Sipas opozitës, pas korrupsionit dhe pastrimit të parave për të cilat po hetohen zyrtarët vendorë “fshihet” kryetari Veliaj. Për këtë çështje, opozita e ka akuzuar edhe Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë (SPAK), se nuk po vepron kundër kryebashkiakut.

    Pas akteve të dhunës gjatë protestës reaguan ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe zyra e Bashkimit Evropian në Shqipëri.

    “E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune”, tha Ambasada amerikane në një reagim.

    Zyra e BE-së tha se e dënon “fuqishëm dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë”.

    “Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së në Tiranë.

    Në fund të marsit, SPAK-u i arrestoi disa drejtorë dhe ish-drejtorë të bashkisë së Tiranës, ndërkaq ndaj disa të tjerëve lëshoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nën akuzat për korrupsion pasiv, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, shkelje të barazisë në tenderë, lidhur me aferën e dyshuar të shoqërisë “5D konstruksion”.

    Ndërkaq, në dhjetor të vitit 2023, Gjykata e Posaçme nxori 15 fletarrestime, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, mes tyre në arrest me burg është drejtori i përgjithshëm i punëve publike në bashkinë e kryeqytetit, Taulant Tushe.

    Pas arrestimit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të bashkisë, Veliaj deklaroi se akuzat e ngritura ndaj bashkëpunëtorëve të tij nuk e bëjnë të ndihet mirë, por akuzat duhet të provohen në gjykatë. Megjithatë, ai tha se nuk ka pasur asnjë përftim personal dhe nuk ka shkelur ligjin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!