×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Parlamenti Evropian diskuton për integrimin e Shqipërisë në BE: Partitë e majta ‘pro’, të djathtët me dyshime

    Reporteri
    25 Mars 2021 | 15:48

    Në seancën plenare të Parlamentit Evropian, u zhvilluan debate mbi progres raportet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Raportet e zgjerimit janë përgjigja e Parlamentit Evropian për raportet vjetore të Komisionit mbi vendet kandidate në procesin e pranimit në BE.


    Përfaqësuesit e Komisionit dhe të Këshillit, së bashku me raportuesit e vendeve respektive shprehën angazhimin e tyre për aderimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    “Konsiderojmë që Shqipëria ka përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli në mars të vitit të kaluar për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare”, u shpreh Oliver Varhelyi, komisioner për Zgjerimin.

    Ndërsa partitë e qendrës së majtë, të grupit të socialistëve progresivë dhe demokratëve në Parlamentin Evropian dhe të ‘Gjelbërit’ vlerësuan arritjet e të katërta vendeve për sa i përket sundimit të ligjit, lirisë së medias dhe luftës kundër korrupsionit.

    “Zgjerimi i BE-së është një nga themelet e një Evrope të qëndrueshme dhe të ndërlidhur. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Evropës”, tha Tanja Fajon, Grupimi i Socialistëve dhe Demokratëve në PE.

    “Jam shumë i shqetësuar sepse BE po humbet Ballkanin Perëndimor, Këshilli ka vendosur hapjen e negociatave, por në kohën e krizës së COVID-it, vëmendjen tonë gjeopolitike e ka marrë Turqia, Rusia dhe bota arabe”, u shpreh Massimo Castaldo, anëtar i PE, grupimi ‘5 Stelle’.

    Ndërsa përfaqësuesit e grupimit të qendrës së djathtë, PPE, e cila ka dhe shumicën në parlament u shprehën për një shtyrje të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të paktën deri në organizimin e konferencës për të ardhmen e Evropës. Gjithashtu dhe grupimi konservator për Identitet dhe Demokraci, u shpreh kundër integrimit të këtyre vendeve.

    Rezolutat e adaptuara në seancën plenare përfaqësojnë pozicionin zyrtar të Parlamentit Evropian në lidhje me marrëdhëniet e BE-së për këto vende. /Euronews Albania/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!