×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Polici qëllon kushëririn me pistoletë, ajo çfarë tha në sallën e gjyqit ka habitur të gjithë

    Reporteri
    04 Qershor 2019 | 15:09

    Gjykata e Tiranës la në burg pa afat efektivin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Flamur Karaj, i akuzuar për plagosjen e kushëririt të tij.


    Flamur Karaj u shfaq i penduar në sallën e gjyqit dhe pretendoi se kishte vepruar për të mbrojtur veten. Sipas Prokurorisë, çdo gjë kishte ndodhur pas një sherri banal dhe në gjendje të dehur, ndërkohë vetë Karaj tha se i plagosuri, që është edhe kushëri i tij, e ka ofenduar atë nga familja dhe më pas e ka qëlluar me dërrasë.

    Ngjarja e rëndë, sipas organit të Akuzës, ka ndodhur rreth orës 12:00 të së shtunës që lamë pas kur Flamur Karaj së bashku me bashkëshorten e tij kishin shkuar në banesën e tyre në fshatin Dorëz të Pezës për të pastruar dhe rregulluar disa gjëra. Aty ata kanë takuar Enver Karajn dhe pas një debati verbal, i dyshuari ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar shtetasin Enver Karaj, i cili, sipas Prokurorisë, është në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës. Pas relatimit dhe prezantimit të provave, Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” pa afat për 58-vjeçarin.

    Nga ana tjetër, mbrojtja pretendoi se ish-efektivi i FNSH-së ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi është sulmuar nga kushëriri i tij.

    “Ka qenë duke rregulluar banesën. Aty ka shkuar një i afërm i tyre, i cili i kishte kërkuar që ta qerasnin me raki. Pasi e kishin qerasur, ai kishte kërkuar sërish, por i mbrojturi prej meje i kishte thënë se ata nuk jetonin aty dhe se nuk kishin. I plagosuri e ka ofenduar dhe ka tentuar ta qëllojë me një dërrasë”, tha avokati Laurent Thomollari.

    Ky i fundit shtoi se kërkonin që të vlerësohej i ligjshëm arresti, por të caktohej një masë më e butë sigurie, pasi kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes dhe nuk ka pasur herë të tjera probleme me drejtësinë. “Kërkojmë të vlerësohet i ligjshëm arresti, por të caktohet masa e sigurisë ‘Arrest shtëpie’.

    Vepra penale ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes dhe i dyshuari nuk ka pasur asnjëherë probleme me drejtësinë më parë”, argumentoi avokati. Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, foli edhe vetë efektivi i FNSHsë, i cili tha se ishte i penduar për atë që kishte ndodhur, duke shtuar se kishte vepruar në kushte të vetëmbrojtjes, pasi kushëriri kishte tentuar ta godiste.

    “Jam penduar për çfarë kam bërë. Ai më ka ofenduar me familjen dhe më pas tentoi të më qëllonte. Pas këtij momenti, nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur, por di që e kam qëlluar. E kam bërë për vetëmbrojtje”, tha Flamur Karaj. Ndërkohë, Gjykata pasi dëgjoi të dyja palët, vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë dhe caktoi ndaj tij “Arrest në burg” pa afat.

    VETËDORËZIMI

    Menjëherë pas plagosjes, Flamur Karaj ka shkuar së bashku me bashkëshorten e tij në repartin e FNSH-së, ku edhe është vetëdorëzuar. “Specialistët e Sektorit të Krimeve Ndaj Jetës në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6 dhe me specialistët e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA Tiranë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit: F.K., 58 vjeç, lindur në fshatin Dorëz, Njësia Administrative Pezë dhe banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në repartin e FNSH-së Tiranë.

    Arrestimi i tij u bë, pasi shtetasi F.K, duke punuar në banesën e tij të vjetër, në fshatin Dorëz dhe pas një konflikti verbal dhe fizik me shtetasin E.K., me armën e shërbimit ka qëlluar në kokë shtetasin E.K., i cili është dërguar me urgjencë në QSUT-Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore”, sqaroi Policia. Gjatë hetimeve për ngjarjen, është sekuestruar edhe arma e krimit si dhe 12 fishekë.

    “Menjëherë pas ngjarjes, punonjësi i Policisë F.K. është vetë dorëzuar pranë repartit të FNSHsë Tiranë, ku edhe shërbente. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarri pistoletë, së bashku me karikatorin me 12 fishekë. Materialet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve do t’i kalohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit F.K., për veprën penale, ‘Vrasja me dashje’, e ngelur në tentativë”, shkruante më tej Policia.

    I PLAGOSURI

    Enver Karaj, 48-vjeçari që u plagos me armë zjarri nga djali i xhaxhait ditën e shtunë, vazhdon të mbahet në terapi intensive në Spitalin e Traumës. Mjekët thanë se ai ka një plagë në fytyrë, pasi plumbi i ka goditur nofullën dhe i ka dalë në faqe. Oficerët e Krimeve Kundër Jetës janë paraqitur dy ditë më për të marrë dëshminë e tij në ambientet e spitalit, por nuk kanë arritur, duke qenë se gjendja e tij vazhdonte të ishte e rëndë, pavarësisht se ka arritur të flasë, aq sa për të treguar gjeneralitetet e tij

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!