Presidenti Ilir Meta, përmes një statusi në facebook ka deklaruar se ditën e hënë do të propozojë një ide konkrete për referendum.
Duke publikuar në nen të kushtetutës për Referendum, Meta shkruan se këtë fundjavë do të pushojmë për tu kthyer të hënën me ide konrete.
Postimi i Metës:
Të dashur qytetarë!
Ja çfarë ka vendosur populli shqiptar në referendumin për Kushtetutën:
Neni 150
1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.
3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.
U bënë 21 vjet që klasa politike nuk nxjerr ligjin për zbatimin e këtij detyrimi kushtetues për të bërë të pamundur ushtrimin e demokracisë direkte!
Por tani nuk ka më tolerim dhe as justifikime!
Kjo klasë politike di vetëm të thellojë krizat dhe të mos mbajë përgjegjësi. Ajo nuk e njeh dialogun politik, interesin publik dhe kombëtar. Ndaj tani çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit përmes referendumeve.
Çfarë e keqe e gjeti Zvicrën nga Referendumet?
Le të pushojmë sot e nesër dhe të hënën do ju propozoj ide konkrete për Referendumin!