Prej orës 19:00 do të zhvillohet protesta e 7 kombëtare e opozitës, para ambienteve të kryeministrisë, Kryesisë së Kuvendit, por edhe Parlamentit, janë të pranishme forca të shumta policie.
Partitë opozitare me në krye PD-në kërkojnë largimin e kryeministrit dhe ngritjen e një qeverie tranzitore që do e përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme që do i hapin vendit rrugën e integrimit.
Pak orë para nisjes së kësaj proteste, lideri i opozitës Lulzim Basha iu ka bërë thirrje qytetarëve të vijnë në protestë pasi sipas tij vetëm vota e lirë do të sjellë një qeveri që iu shërben njerëzve.
Për protestën është parashikuar që 1700 efektive policie të jenë në gatishmëri. Partia Demokratike ka kërkuar një marshim protestë nga ora 19:00 deri në mesnatë, ndërsa policia i ka kthyer shkresë se e lejon të protestojë vetëm para godinës së Kryeministrisë tek bulevardi “Dëshmoret e Kombit” dhe deri në orën 21:00.
Ashtu siç dhe në protestat e mëparshme, në dispozicion të policisë do të jenë edhe makina të zjarrfikëseve, ambulancat, si dhe kamerat e sigurisë për të vrojtuar ecurinë e protestës dhe incidente të mundshme gjatë saj. Edhe këtë herë, nuk do mungojnë as autobotet specialë të përdorura nga policia, e cila lëshon ujë dhe gaz dhe ka si qëllim shpërndarjen e turmës.