×
  • Lajme
  • Shqipëria / Për televizionin austriak

    Rama: Anëtarësimi në BE, mundësi historike – nuk zgjat përgjithmonë nëse s’i përmbushim kërkesat

    Reporteri
    20 Maj 2025 | 21:19

    Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për televizionin austriak ORF, ka deklaruar se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të përfunduar negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027, me synimin për t’u bërë vend anëtar deri në vitin 2030.

    “Procesi i anëtarësimit është një mundësi historike, por nuk është një mundësi që do të zgjasë përgjithmonë nëse nuk jemi në gjendje të përmbushim kërkesat”, tha Rama.

    Ai theksoi se konteksti gjeopolitik i krijuar nga lufta në Ukrainë ka përshpejtuar domosdoshmërinë e zgjerimit të BE-së, duke shtuar se “për fat të keq, ‘ndihma’ e Vladimir Putinit ishte e nevojshme për të rinisur shpejt proceset e integrimit që ishin lënë pas dore.”

    I pyetur për skepticizmin që ekziston në disa vende anëtare të BE-së mbi zgjerimin, Rama u shpreh se Shqipëria duhet të fokusohet te puna konkrete dhe jo tek rezultati përfundimtar.

    “Duhet të përqendrohemi në përmbushjen e angazhimeve tona. Nuk duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, por për atë që po luajmë aktualisht”, shtoi ai.

    Në lidhje me kapacitetin e administratës shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet brenda afateve të vendosura, Rama u shpreh optimist, duke përmendur edhe përdorimin e teknologjive të reja.

    “Tani kemi në përdorim edhe inteligjencën artificiale, e cila përshpejton transferimin e ligjeve të BE-së në sistemin tonë ligjor.”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!