×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rama emëron Ina Majkon zv.ministre të Shëndetësisë, e para nga komuniteti rom në historinë e qeverisë shqiptare

    Reporteri
    03 Korrik 2025 | 10:01

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që fitoi zgjedhjet e fundit në Shqipëri po prezanton përbërjen e re të kabinetit të tij.

    Ai sot njoftoi se Ina Majko është zgjedhur zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe tha se është e para përfaqësuese e komunitetit rom në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit.

    “Ina MAJKO është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Ajo sapo është zgjedhur zëvendës ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit”.

    “Ina erdhi në skuadrën tonë si një përzgjedhje nga komuniteti Rom dhe si e para përfaqësuese e këtij komuniteti në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit, ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale”, ka shkruar Rama.

    Ai tha se historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze “të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale”.

    “Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!