Kryesocialisti Edi Rama në mitingun përmbyllës të fushatës zgjedhore ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë nga Tirana që në 11 maj të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Ai tha se çdo shqiptar i majtë apo i djathtë në 11 maj të lërë mënjanë ngjyrat politike dhe të mendojë për fëmijët, pasi e ardhmja është vetëm e tyre.
“Unë nuk besoj te rastësitë. Fati Evropian ka ardhur në dorën tonë dhe në 11 maj do të vendosim për fatin Evropian me dorën tonë. Dora me 5 gishta ka mundësinë për një Shqipëri krenare në familjen evropiane, për një Shqipëri të re, një Shqipëri drejt finishit të një rrugëtimi të gjatë sa vetë ekzistenca e shqiptarëve në zemrën e Evropës. Përkatësia evropiane nuk është vetëm zakon por dhe ligj, nuk është vetëm në fletët e historisë, por dhe në fletën e pasaportës. Tirana e madhe dhe e bukur bëhu të dielën lokomotiva e fuqishme e këtij misioni. Nxirr nga dora jote 20 mandate për majën e 2030-ës në Bashkimin Evropian. Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë, rrofshi të gjithë ju që erdhët këtu, dëgjuat, duruat qëndruat. Rrofshin të gjithë socialistët dhe progresistët që kjo nuk është partia më e madhe e Shqipërisë, është forca më e madhe e shqiptarëve. Qofshin të bekuar të gjithë fëmijët e Tiranës dhe Shqipërisë të prindërve me të gjitha bindjet politike, qofshin prindërit e tyre të vetëdijshëm se 11 maji është në radhë të parë i fëmijëve të tyre”, tha Rama.