Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas marrëveshjes Kosovë – Serbi të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë duke uruar për të, por pa harruar të thumbojë të gjithë ata që kishin kundërshtuar ‘Mini-Shengenin’ për të cilin ai kohë më parë ishte dakorduar me presidentin serb Aleksandar Vuciq, të cilin tani Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar ta jetësojnë.
Rama në urimin e tij për këtë marrëveshje ka theksuar ‘tradhëtinë’ për të cilën ish’kryeministri Albin Kurti paralajmëronte se mund të ndodhë në Shtëpinë e Bardhë, duke përmendur thikat mbi hartë, marrëveshjen e Mini-Shengenit, dhe njohjen nga Izraeli që përveç tjerash solli ky takim, shkruan Reporteri.net.
Rama në reagimin e tij, e ka shkruar me shkronja kapitale, ‘Asnjë tradhëti burra!’.
E si politikan që nuk preferon të flas në mënyrë protokollare, ai nuk ka lënë pa thumbuar të gjithë politikanët shqiptarë të cilët kishin kundërshtuar ashpër iniciativën e tij për Mini-Shengen Ballkanik, e për të cilin sot në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia e nënshkruan si një nga pikat e marrëveshjes.
Reagimi i plotë i Ramës:
ASNJË TRADHËTI BURRA! Urime Kryeministrit Hoti për marrëveshjen e arritur me Serbinë, e cila s’është fundi po vazhdimi i të vetmes rrugë drejt njohjes përfundimtare: Dialog për gjithçka, Bashkëpunim për çka mundet sot, Këmbëngulje për çka duhet nesër!
Keqardhje që u humb kaq kohë për t’u dakordësuar me Shengenin Rajonal,si një projekt ambicioz me interes kombëtar zhvillimi përmes rritjes së bashkëpunimit, e si një shtysë më shumë për integrimin europian të shteteve tona
Po më mirë vonë se kurrë, edhe falë Amerikës mike
Njohja e Kosovës nga Izraeli është fruti fantastik i kësaj marrëveshjeje me potencial të madh zhvillimor, po edhe shembull për të gjithë që lufta për paqen përfundimtare me Serbinë nuk bëhet as me shpata virtuale kundër Beogradit, as me damkosje digjitale tradhëtarësh imagjinarë!