×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shqiptarët po bëhen si italianët, lënë bukën, rrisin konsumin e makaronave

    Reporteri
    30 Prill 2025 | 23:40

    Pas rikuperimit në 2024 importet për grupin e drithërave shënojnë sërish rënie. Për periudhën janar-mars janë importuar rreth 59 mijë tonë drithëra, sipas të dhënave të INSTAT.

    Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-s, importet janë ulur 8%.

    Kjo tendencë është e kundërt me janar-mars 2024, kur importet e drithërave arritën 64 mijë tonë rreth 80% më tepër se 3-mujori i parë i vitit paraardhës.

    Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, pohon se pakësimi i importit të drithërave është ndikuar nga rënia e konsumit.

    Tendenca e pakësimit të konsumit sipas tij mund të lidhet me shtimin e pranisë në treg të produkteve të gatshme të brumit, përfshirë dhe makaronave nga importi të favorizuara nga leverdishmëria e çmimit nga rënia e euros.

    Përveç shtimit të konsumit të produkteve të gatshme të brumit, një tendencë rritëse për 2025 është shënuar në tërësi te konsumi i produkteve të gatshme të mallrave ushqimore.

    Nisur nga të dhënat e rrjetit të supermarketeve Big Market, Ceo e kompanisë znj. Elona Koshi, pohoi më herët se për muajt janar-shkurt, rritjet më të larta të shitjes ishin për produktet e gatshme të paketuara. Tendenca rritëse mund të lidhet me shtimin e konsumit të produkteve të gatshme në ambientet e punës.

    Po ashtu në 2024 ka pasur rritje edhe për importin e makaronave. Sasia e importit arriti në 18,4 mijë ton apo 7% më tepër se në 2023.

    Rritja e importeve vijoi edhe përgjatë 2025-s. Sipas të dhënave të Doganave, në muajt janar-mars 2025, sasia e importit të makaronave u rrit me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Në vlerë, importet në muajt janar-mars u rritën 8% në raport me 3-mujorin e parë 2024.

    Për vitet 2018-2025, importi i makaronave në vlerën më të lartë është shënuar në 2022, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të tyre, e ndikuar nga agresioni i Rusisë në Ukrainë.

    Ndryshe nga shtimi i importit të makaronave, sasia e importit të grurit në fillim të këtij viti nisi me rënie. Për muajin janar sipas të dhënave të Doganave u importuan 10,5 mijë ton grurë. Në raport më muajin janar 2024 importi i grurit me 7%. Ndërsa për vitin 2024 u importuan një sasi prej 204 mijë ton grurë. Krahasuar me 2023 sasia e importit të grurit u rrit me 6,4%.

    Grosistët e miellit dhe drejtuesit e fabrikave të blojës kanë përsëritur disa herë edhe shqetësimin se rënia e konsumit po ndikohet edhe prej ndryshimeve demografike të popullatës, veçanërisht e largimet të të rinjve në emigracion.

    Në 2024 shqetësimi për rënien e kërkesës së bukës dhe ëmbëlsirave, pas përfundimit të sezonit turistik është theksuar edhe nga drejtuesit e të disa prej furrave kryesore në vend.

    Sipas tyre vjet në muajin tetor rënia e kërkesës për produktet e brumit dhe ëmbëlsirave ra me 20% krahasuar me vitin paraardhës, përveç shitjeve të produkteve fast-food që nuk shënuan pakësim.

    Por tendenca rënëse e kërkesës vijoi edhe gjatë 2025-s, tërësisht për shkak të ndryshimeve demografike në popullatë, ndërsa ardhja e turistëve përmirëson konsumin vetëm gjatë muajve të verës, për shkak të qëndrimit më të gjatë të huajve.

    Por ndryshe nga gruri, në grupin e drithërave importet e misrit në fillim të vitit kanë vijuar trendin rritës të 2024-s. Për muajin janar 2025 sasia e importeve u shtua rreth 61% krahasuar me muajin janar 2024.

    Totali i importit të grurit për 2024 u rrit me 36% krahasuar më 2023. Përdorimi i misrit të importit më tepër është i lidhur me ushqimin për blegtorinë sesa me përdorimin e tij për konsumatorin./Monitor/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!