Trafikantët duket se po kërkojnë mënyra alternative për të vazhduar aktivitetin kriminal pavarësisht kufizimeve të vendosura për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.
Forma më e përhapur është shpërndarja e kokainës dhe marijuanës me biçikletë, motor apo me makinë. Disa prej trafikantëve shfrytëzojnë oraret e lejes për të transportuar lëndën narkotike me biçikleta dhe në këmbë.
Trafikantët të cilët përdorin automjetet kanë gjetur një tjetër formë për ti shpëtuar kontrolleve të policisë. Rasti më i fundit është në Tepelenë, ku një 39-vjeçar, të cilit iu gjetën disa doza lëndë narkotike. Gjatë lëvizjeve me automjetin e tij, 39-vjeçari përdorte këtë emblemë policie për ti shpëtuar kontrolleve të patrullave policore.
Një tjetër mënyrë e shpërndarjes së lëndëve narkotike sipas policisë, gjatë kësaj kohe ka qenë dhe përdorja e shërbimeve taksi, duke përfshirë këtu dhe përdorimin e kutive të picave. Për shpërndarjen e substancave narkotike po përdoren dhe postierët e ushqimit të shpejtë, ndaj Interpoli ka paralajmëruar 194 agjencitë e saj anëtare për këtë formë të re të kriminalitetit. Zyrtarët e rendit këshillojnë vendet anëtare të organizatës të shkëmbejnë praktikat e ndjekura nga trafikantët në mënyrë që të aksesohen modelet e ndryshimit të krimit.
Shqipëria si shumë vende kanë marrë masa të rrepta izolimi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, ndërsa gjatë periudhës se pandemisë, nuk ka ndaluar dhe trafikimi i drogës. Gjatë kësaj kohe gjithashtu nuk ka munguar as trafiku i drogës drejt Italisë./oranews