Shefat e policisë të arrestuar dy ditë më parë me urdhër të SPAK, informonin trafikantët e drogës për aksionet antidrogë.
Këtë të hënë, Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” për zyrtarët e lartë të policisë dhe ish-efektivin e Operacionales që dyshohet se janë përfshirë në trafikun e drogës.
Në mesazhet e zbërthyera nga aplikacioni “SKY ECC”, sipas asaj që i referohet dosjes hetimore, zbulohen lidhjet e grupeve të narkotrafikut me “shtetin”, sa investonin dhe sa fitonin nëpërmjet shitjeve të lëndëve narkotike.
Në një nga mesazhet e çkoduara nga hetuesit e Prokurorisë s Posaçme, vërehet se një trafikant tregon i shqetësuar se “kam investuar 250 dhe do fitoj 650 mijë euro”.
Gjatë bisedës, trafikanti po humbiste shumë, por nga ana tjetër spceifikon se, “megjithëse lidhjet i kam me shtetin”.
Trafikanti shkruan se herë tjetër do veprohet jashtë vendit duke kujtuar dëmin që i është bërë prej 1.7 milionë euro, pasi iu bllokua në Greqi një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike në doganën e Qafë Botës në Sarandë.
Dy ditë më parë SPAK goditi dy grupe kriminale, aktivë në harkun kohor 2019-2021, një nga të cilët dyshohet se drejtohej nga Kristo Qirici, vëllai i Edmond Papës, biznesmenit të ekzekutuar në dhjetor 2022 në Tiranë.
Ndonëse SPAK mori “dritë jeshile” për 10 arrestime nga gjykata, policia gjeti dhe prangosi vetëm tre prej tyre, shefin e krimeve në Komisariatin e Himarës, Shkelzen Ruska, shefin e Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, Ervis Alisinanaj dhe ish-policin e Forcave Operacionale, Erdit Hazizaj.
Ndërsa Ervis Dervishi, me detyrë shef i Policisë Kufitare Sarandë dhe 6 të dyshuar të tjerë, janë shpallur në kërkim, pas dyshimeve se ndodhen jashtë vendit. Policia njoftoi të dielën pezullimin nga detyra të Ruskës, Alisinanajt dhe Dervishit.
Sipas SPAK, punonjësit e policisë, të vënë në pranga, duke shfrytëzuar pozicionin e atëhershëm të policisë, i kanë ndihmuar drejtuesit e grupit kriminal me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale, si edhe duke u krijuar siguri anëtarëve të grupit kriminal.
SPAK ka dokumentuar dy episode të trafikut, që dyshohet se kultivohej në zonën e Sarandës, në ambient të mbyllur dhe në zonën Gjirokastër-Tepelenë, me qëllim trafikimin drejt Greqisë.
Më 7 mars 2020, grupi i kryesuar nga Qirici ka kaluar përmes doganës së “Qafë Botës” një sasi prej 1.1 tonë kanabis, por edhe sasi të vogla kanabisi çokollatë dhe vaj, me një vlerë prej gati 1.7 milionë euro.
Sasia në fjalë i është sekuestruar dy italianëve të dënuar në Greqi. Ndërsa grupit tjetër, të drejtuar nga një person me iniciale L.B., më 1 tetor 2020 i është bllokuar pranë fshatit Salari në Tepelenë, një sasi prej 1300 bimë të njomja kanabis, me kërcell degë gjethe e boçe, me peshë në total 1.2 ton, që ndodheshin brenda një furgoni.
Në një episod tjetër në vitin 2020, Ervis Alisinanaj, atë kohë shef i krimeve në Sarandë, ka diktuar që një armë të gjetur në automjetin e një prej aëntarëve të grupit kriminal, ta merrte përsipër një i mitur.