Ritvan Zykaj nuk ka asnjë ndryshim nga të burgosurit e tjerë. I vetmi dallim janë mysafirët në burg. Për të burgosurit e tjerë, çdo dy javë familjarë të të burgosurve mbajnë radhën për të dorëzuar ushqime, apo rroba për të afërmit.
Ndërsa për Zykajn nuk ka asnjë interesim nga askush. I vetmi që ka qenë vetëm në një takim me të ishte i vëllai, që doli prej andej pa asnjë kërkesë të veçantë të vëllait, që ka kryer krimin më të rëndë në Shqipëri me 8 të vrarë në fare pak minuta.
Por si kalon dita e të burgosurit me burgim të përjetshëm Ritvan Zykaj. Gardianët thonë se nuk ka asnjë ndryshim. Nuk refuzon ushqimin, nuk del rregullisht në ajrim. Nuk bisedon me të tjerë dhe më shumë lexon libra fetarë.
Ka raste, kur gjatë natës ngrihet dhe flet me vete – thotë një nga gardianët e kontaktuar në telefon nga Gazeta Shqip. Sipas tij, sjellja e Ritvanit nuk është shumë e çuditshme, edhe pse e kemi më shumë në vëmendje për shkak të llojit të krimit të kryer prej tij.
“Na ndodh shpesh që t’i blejmë ndonjë paketë cigare, sepse është i vetmi i burgosur që nuk ka asnjë vizitor, ose i japim ndonjë rrobë nga ato që në shtëpitë tona nuk i përdorim” – tregon gardiani, që kryen shërbim në burgun e Peqinit, aty ku ndodhet edhe Zykaj, teksa shton se këtë e bëjnë të gjithë policët-gardianë të burgut.
Si ndodhi masakra në Selenicë?
Pas një dreke me familjen e tij, ku edhe kishte pirë një gotë birrë, Ritvan Zykaj u çua para të tjerëve për të kullotur gjedhët. Mirëpo në oborr ndeshet me nusen e vëllait të gjyshit të tij, e cila e akuzon se i kishte vjedhur pulat. I prekur në sedër nga akuza e të afërmes së tij, Ritvani kthehet në shtëpi për të marrë armën dhe vret me breshëri kallashnikovi 8 persona.
I pari që u vra nga 24-vjeçari ishte kryefamiljari Demir Zykaj. Pasi vrau 75 vjeçarin dhe Perie Zykajn 72 vjeç shkoi në banesën e Besimit, djalit të Demirit duke vrarë atë, Besimin 43 vjeç, të shoqen, Vasilikën 42 vjeç. Tyta e armës së tij nuk kurseu as dy fëmijët e çiftit, Sarën 16 vjeçe dhe djalin e vogël Ledionin 8 vjeç. Ky i fundit u vra me bukë në dorë pasi në ato momente ishte duke konsumuar vaktin e drekës.
Nga kjo ngjarje tronditëse arritën të shpëtojnë vetëm tre djem, Arieli, Falkao dhe Albi Zykaj, të cilët nuk ndodheshin në shtëpi në momentin kur Ritvan Zykaj zbrazi breshërinë e kallashnikovit.
I pandikuar nga akti monstruoz që kishte kryer, Ritvani gjeti kohën që të filmonte me celularin e tij viktimat, video që ua dërgoi të afërmve në Facebook. Menjëherë pas këtij veprimi dhe alarmit që u dha në fshat, Zykaj mori arratinë duke u fshehur në kullotat e fshatit. Ndërsa policia e kërkonte gjithë natën, 24-vjeçari kontrollonte çdo gjë që ndodhte në rrjetet e tij sociale.