Mëngjesin e sotëm, lideri i partisë Social-Demokrate, Tom Doshi njoftoi se ka dhënë dorëheqjen e dyfishtë: si nga mandati për deputet ashtu dhe nga kandidimi në zgjedhjet e 25 prillit.
Në letrën drejtuar KQZ shkruan se vendimi është i parevokueshëm dhe kërkon që ta zëvendësojë mandatin e tij me të një tjetri. Pak më parë, gjatë një deklarate për shtyp, Tom Doshi ka sqaruar arsyet që e çuan drejt një vendimi të tillë.
“Ky vendim është marrë vetëm sepse sëbashku me një ekip me njerëz të rinj, të përkushtuar dhe me integritet. Kemi arritur objektivat që i kishim vënë vetes, pra mobilizimi jonë e dha rezultatin e tij, u impenjova për fitore dhe e arritëm fitoren.
Në parlament apo jashtë parlamentit Tom Doshi është dhe do të jetë gjithmonë me ju, sepse do të vijoj të jem në udhëheqje të PSD-së dhe nuk do t’ju braktisë asnjëherë. Detyrimi im politik dhe moral karshi jush, është përkushtim që i ka rrënjët në historikun tim familjar dhe në besimin në Zot që më frymëzon për t’ju shërbyer e për të përcjellë zërin tuaj në vendimet politike që ndikojnë në jetët tuaja.”- shkruan ai, duke theksuar se është një vendim i marrë me vullnetin e tij të lirë.
Deri më tani, partia që përfaqësonte PSD-ja ka marrë 3 mandate deputeti në zgjedhjet e 25 prillit.