Qyteti i Kukësit po furnizohet me orare shumë të reduktuara me ujë të pijshëm, ndërsa shkak për situatën është bërë rënia e prurjeve dhe problematikat e rrjetit shpërndarës.
Në pjesën më të madhe banorët thonë se uji u shkon me minuta, ndërsa në katet e larta nuk arrin të ngjitet.
“Na vjen shumë pak ujë në shtëpi. Kjo situatë ka që një muaj sepse më përpara kemi pasur ujë”
“Uji në ditë vjen shumë pak, rreth gjysmë ore, madje ka raste që edhe 10 minuta. Dushi nuk mund të furnizohet me ujë”, thonë banorët,
Kjo situatë i ka rikthyer banorët e qytetit tek bidonat si dhe gjetjen e burimeve ujore për sigurimin ditor të ujit të pijshëm.
“Mbush ujë këtu sepse nuk na vjen në shtëpi. Jam në kat të tretë dhe asnjë pikë ujë nuk vjen, vetëm dy minuta në ditë dhe nuk vjen më”, shprehet banorja.
Rënia e prurjeve për shkak të thatësirës, lidhjet e paligjshme dhe defektet në rrjetin shpërndarës jepen si arsye për kufizimin e ujit në Kukës nga drejtori i Ujësjellësit Asllan Hoxha.
Ai shprehet se zgjidhja e problematikave do të vijë vetëm nga një ndërhyrje e plotë në rrjet që presin ta nisin së shpejti.
“Vështirësitë janë të mëdha sepse ka shumë ndërhyrje, ka edhe shpërdorime të ujit të pijshëm. Ka edhe drejtues të cilët ndër vite nuk paguajnë ujin e pijshëm e kjo është për të vënë duart në kokë. Shpresojmë dhe besojmë se investimi i ri që do të bëhet 2 milaradë lekë do të rregullojë dhe do të normalizojë furnizimin me ujë të pijshëm, jo vetëm për qytetin e Kukësit”
Ndërkohë një task forcë e posaçme ka prerë qindra lidhje të paligjshme të furnizimit me ujë në Kukës.