296 viktima, 3850 të infektuar aktivë dhe 5582 pacientë të shëruar. Ky është bilanci i Covid-19 në Shqipëri, që nga fillimi i pandemisë. Flutura Beqo, nga Instituti i Shëndetit Publik,gjatë përditësimit të të dhënave për 24 orët e fundit, bëri me dije se kanë ndërruar jetë edhe gjashtë persona të tjerë.
Një 64-vjeçar nga Kruja, një 79-vjeçare nga Fieri, një 81-vjeçar nga Kukësi, dhe tre qytetarë nga Tirana : një 77-vjeçare, një 80-vjeçar dhe një 82-vjeçar, kanë ndërruar jetë gjatë 24 orëve të fundit, duke bërë që numri i viktimave të shkojë në 296 në total.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar 122 raste të reja me virusin Sars-Cov 2, në 856 testime të kryera. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 66 raste në Tiranë, 13 në Durrës, 7 në Kavajë, 5 në Elbasan, nga 4 raste Lezhë, Cerrik, nga 3 raste Shkodër, Kamëz, Vorë, nga 2 raste Krujë, Kurbin, Korçë, Berat, Malësi e Madhe, nga 1 rast Devoll, Vlorë, Mirditë, Tepelenë.
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 185 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 22 në terapi intensive nga të cilët vetëm 8 pacientë janë të intubuar. Në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 40 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.
Ndërsa 141 qytetarë e kanë fituar betejën me virusin e rrezikshëm gjatë këtyre 24 orëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i kujton qytetareve detyrimin për vendosjen e maskës në ambientet e mbyllura, me qëllim frenimin e përhapjes së Covid19.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i rikujton gjithashtu bizneset se: Vendosja e maskës dhe barierrave mbrojtëse në shërbim në ambientet e mbyllura është e detyrueshme. Bizneset dhe institucionet publike duhet të zbatojnë me rigorozitet masat dhe protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së infeksionit. Ambientet e punës ku ofrohet shërbim duhet të respektojnë distancën prej 1.5 metër dhe të dezinfektohen vazhdimisht. Kur dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes apo për çdo informacion tjetër rreth Covid19
COVID-19 – Statistika (2 Shtator 2020)
Testime totale 64505
Raste pozitive 9728
Raste të shëruara 5582
Raste Aktive 3850
Humbje jete 296 (Qarku Tiranë 138, Durrës 41, Shkodër 36, Elbasan 17, Fier 15, Korçë 12, Lezhë 11, Kukës 8, Vlorë 6, Dibër 6, Gjirokastër 4, Berat 2)