×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Vetëvendosja me aksion në Korçë kundër Goran Bregoviqit

    Reporteri
    19 Gusht 2021 | 14:27

    Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka organizuar një aksion kundër pjesëmarrjes së këngëtarit serb Goran Bregoviq në Festivalin e Birrës në Korçë.


    Sipas tyre, aksioni është si kërkesë e 20 shoqatave të familjeve të personave të zhdukur gjatë gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë, për anulimin e ftesës së Bregoviqit në këtë festival.

    “Aksioni u organizua në solidaritet me 20 shoqatat e familjeve të personave të zhdukur gjatë gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë, të cilat kanë kërkuar nga Bashkia e Korçës anulimin e ftesës në ‘Festën e Birrës’ të muzikantit të shumëkontestuar, Goran Bregoviq. Aksioni u zhvillua gjithashtu në mbështetje të bojkotit që shumë artistë shqiptarë nga të gjitha trevat i kanë bërë kësaj feste, pasi Bashkia e Korçës ka refuzuar të anulojë ftesën për Bregoviqin”, thuhet në reagimin e LVV-së në Shqipëri.

    LVV thotë se Bregoviq, përmes muzikës dhe qëndrimeve të tij, ka shërbyer e shërben të mbulohet nacionalizmi shoven serb.

    “Bregoviqi, përmes muzikës dhe qëndrimeve të tij, ka shërbyer e shërben si lëkuara e deles me të cilën mbulohet nacionalizmi shoven serb. Serbia nuk është penduar për krimet e saj, drejtohet nga kriminelë lufte dhe vazhdon të ketë për qëllim ekspansionin e mëtejshëm në rajon me projekte si ‘Ballkani i Hapur’. Për më keq, Serbia kryen sot e kësaj dite spastrim etnik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, vijon njoftimi.

    Në fund, LVV kërkon që të ketë ndërgjegjësim për bashkëpunim kombëtar në të gjitha fushat.

    “Bashkë i ndamë vuajtjet dhe iu gjendëm njëri-tjetrit gjatë luftës në Kosovë, por edhe më vonë pas tërmetit në Shqipëri e tani gjatë zjarreve që shkrumbuan më mijëra hektarë. Ne kërkojmë ndërgjegjësim e bashkëpunim kombëtar në të gjitha fushat, drejt bashkimit”, përfundon reagimi.

    Kujtojmë se muzikanti i shumëkontestuar Bregoviq nuk e ngriti kurrë zërin gjatë aparteidit të Milosheviçit në Kosovë, por e gjeti kohën të organizonte një koncert kundër ndërhyrjes së NATO-s në krah të UÇK-së.

    Po ashtu, koncerte të tij janë anuluar nga organizatorë edhe në shtete të tjera të botës, pas qëndrimeve të tij lavdëruese për Rusinë në koncertin e mbajtur në Krimenë e pushtuar nga Rusia.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!