Fredi Beleri zyrtarisht është kandidat për eurodeputet në Parlamentin e BE, nën siglën e partisë “Demokracia e Re”, drejtuar nga Kyriakos Mitsotakis.
Mediat greke kanë konfirmuar se kryeministri grek, ka mbyllur listën me emrat e 42 kandidatëve, pjesë e të cilëve është edhe emri i Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili është dënuar me 2 vite burg për veprën penale të blerjes së votave.
Kundër kandidaturës së Belerit janë është shprehur ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Gerapetritis dhe këshilltarja për politikën e Jashtme pranë kryeministrit grek Aleksandra Papadhopoulou, sipas të cilëve vendosja e Belerit në listën e kandidatëve për eurodeputetë, do ta kthente këtë çështje nga europiane në dypalëshe me Shqipërinë.
Por duket se është bindur më shumë nga sugjerimi i palës tjetër i përfaqësuar nga ministri i Shtetit Makis Voridhis dhe zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis që këmbëngulën për kandidaturën e Fredi Belerit, duke dhënë si argument se kjo lëvizje do të përqëndronte shumë vota nga elektoriati i së djathtës ekstreme i cili duket se po preferon partinë ultra të djathtë dhe filoruse “Zgjedhja greke” që ka dyfishuαr përqindjet e saj në sondazhet e fundit duke flirtuar me vendin e 4 nga 9 partitë parlamentare.
Kryetari i Himarës, Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, dy ditë përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit. Ai së bashku me bashkëpunëtorin e tij në fushatë elektorale Pandeli Kokaveshi janë dënuar nga Shkalla e Parë e GJKKO-së për veprën penale të shit-blerjes së votave.
Beleri nuk e ka marrë dot detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk ia kanë mundësuar dhënien e lejes së posaçme për ta kryer betimin.