Ish-kreu i Bandës së Vlorës, Myrteza Çaushi, i njohur me emrin Zani Çaushi, i ka kërkuar Gjykatës së Korçës përllogaritje të viteve të burgimit. Zani Çaushi kërkon t’i llogariten ditët e paraburgimit në Tiranë, kur është arrestuar përpara se të shkonte në Burrel dhe nga burgu i Burrelit në burgun e sigurisë së lartë të Drenovës.
Sipas tij, nuk i është llogaritur koha e paraburgimit në vitet 98-99, ndërsa avokati i tij, Arben Lena, llogaritja e kohës së paraburgimit është bërë gabim.
Sipas mediave, Lena është shprehur se ka pasur gabime në llogaritje në të gjitha kohët e paraburgimit të tij dhe në veçanti të viteve 98-99, kohë kur Zani Çaushi është liruar për 1 muaj dhe është riarrestuar prapë.
Kujtojmë se në korrik ai iu drejtua gjykatës, duke kërkuar lirimin me kusht, një kërkesë që iu refuzua nga organet e drejtësisë.
Kush është Zani Çaushi
Myrteza Çaushi, njeriu i konsideruar si ‘i forti’ i Çoles, u arrestua në shtator të 1997 dhe pas një beteje të ashpër që zhvilloi me gjykatën mundi të marrë pafajësinë dhe të lirohet në mars të 1999.
Pas një përplasje me armë ku la të vrarë dy persona dhe u plagos dhe vetë, Zani Çaushi u riarrestua në nëntor të 1999 dhe prej asaj kohe qëndron në qelitë e burgut, pasi është dënuar me burgim të përjetshëm për krijim bandash të armatosura, vrasje, pengmarrje, plagosje etj.