×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Zbardhet vrasja e vitit 2012, si u ekzekutua me plumb kokës 23 vjeçarja shqiptare nga i ati dhe vëllai

    Reporteri
    05 Shtator 2020 | 14:15

    8 vite kanë kaluar nga vrasja e 23 vjeçares Eglantina Buci, vrasje e cila tashmë është zbardhur plotësisht dhe ka për autorë Faik dhe Shkëlzen Bucin, babain e vëllain e vajzës.


    Krimi ndodhi në 2012 dhe arsyeja që shtyu Faik e Shkëlzen Bucin për të vrarë vajzën, ishte fakti se ajo i kishte çnderuar pasi ishte larguar nga banesa për të bashkëjetuar me të dashurin.

    Vajza është vrarë dhe varrosur nga babai e vëllai i saj në malin me gropa. Gjithçka është planifikuar nga babai i Eglantinës, i cili i ka kërkuar të birit që të marrë peng të motrën. Shkëlzeni e ka marrë të motrën nën kërcënimin e pistoletës dhe më tutje të tre kanë shkuar në Malin me Gropa. Atje 23 vjeçarja është ekzekutuar me një plumb në kokë dhe më tutje është groposur.

    Pas disa ditësh, babai dhe djali janë rikthyer sërish në vendngjarje dhe kanë nxjerrë nga toka trupin e vajzës, për ta groposur disa qindra metra më larg. Frika e tyre ishte në mos trupi i vajzës zbulohej nga ndonjë person.

    Por si shkoi policia drejt dyshimeve se vrasjen e kishte kryer Faik e Shkëlzen Buci?

    Vetë familjarët nuk e kishin denoncuar si të ‘zhdukur’ vajzën. Ajo rezultonte e gjallë. Deri në vitin 2017, kur Shkëlzen Buci përfshihet në një tentativë vrasje dhe dyshohet të jetë vrasës me pagesë.

    Policia merr informacionet e para dhe dyshimet se babë e bir mund të kishin vrarë dhe 23 vjeçaren. Me të pyetur familjarët, Faik Buci jep versionin se e bija ishte marrë si prostitutë në Turqi nga një grup mjaft i rrezikshëm kriminal. Policisë i shtohen dyshimet pasi i ati jo vetëm që nuk e kishte denoncuar të humbur të bijën, por edhe nuk shfaqte asnjë shenjë shqetësimi për të.

    Po në vitin 2017, një gjuetar shquan në Malin me Gropa disa eshtra. Me të shkuar në vendngjarje, policia gjen eshtra të shpërndara në zonë, për shkak se trupi i vajzës është konsumuar nga kafshët e shpendët e malit. Gjenden gjithashtu dhe fije floku dhe pas analizave të ADN-së rezultoi se ishte e 23 vjeçares së zhdukur që në vitin 2012. Analizat u krahasuan me nënën e vajzës, e cila tashmë ishte ndarë nga Faik Buci. Ndërkohë dyshimet se krimi kishte ndodhur nga duart e vëllait e babait të Eglantinës, kanë ardhur pas dëshmisë së një të njohuri të Shkëlzen Bucit, i cili ishte në dijeni të ngjarjes së rëndë.

    Ditën e djeshme policia njoftoi se tashmë është faktuar që përgjegjës për krimin kanë qenë babai dhe vëllai i Eglantinës.

    Policia njoftoi se kishte finalizuar operacionin “Heshtja’ dhe kishte vënë në pranga Faik Bucin.

    “Në kuadër të hetimeve u bë e mundur gjetja e disa pjesëve të një skeleti (eshtra) të një kufome të paidentifikuar të gjetur në datë 14.09.2012, në vendin e quajtur Mali me Gropa, Tiranë.

    Pas një pune hetimore të pandërprerë që prej vitit 2017, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë rifilluar hetimet në lidhje me këtë çështje dhe mbi veprimet hetimore dhe procedurale është bërë i mundur identifikimi shkencor eshtrave, të cilat i përkasin shtetases Eglantina Buci, e datëlindjes 1989, lindur në Dibër dhe banuese në Babrru, Tiranë.”-njoftoi policia.

    “Shtetasit Faik Buci dhe Shkëlzen Buci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë më armë zjarri pistoletë shtetasen Eglantina Buci dhe më pas e kanë fshehur (groposur) kufomën në Malin me Gropa, Tiranë.

    Motivi i vrasjes së bërë nga babai dhe vëllai i saj lidhet me faktin që shtetasja Eglantina Buci është larguar nga banesa për të bashkëjetuar me një shtetas tjetër, pa dëshirën e familjarëve të saj”, tha dje zyrtarisht Policia.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!