×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Zgjedhja e Presidentit të ri të Shqipërisë: Çfarë ndodh deri në votimin final?

    Reporteri
    04 Qershor 2022 | 8:21

    Bajram Begaj është i propozuari i Partisë Socialiste për postin e Presidentit të ri të Republikës. Begaj pranoi ftesën, ndërsa kryeministri Edi Rama e priti atë mbrëmjen e kaluar në zyrë.

    Ditën e sotme, në një seancë të posaçme në Kuvend pritet që të zhvillohet raundi i katërt për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, pasi tre të parat dështuan dhe opozita u tërhoq nga marrëveshja me PS-në. Për këtë raund mjaftojnë vetëm 71 vota.

    Para se të shkojë në Kuvend, emri i Begajt do t’i dërgohet paraprakisht Grupit Parlamentar të PS, që do të mblidhet paraditen e së shtunës rreth orës 10:00 dhe nga ku do të mblidhen dhe firmat e nevojshme.

    Duhen të paktën firmat e 20 deputetëve për mbështetjen e një kandidati, që më pas do të depozitohen zyrtarisht në Kuvend. Afati i përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve është ora 12:00 sot, ndërsa më pas, në orën 16:00 do të mblidhet Komisioni I Ligjeve, që do të shqyrtojë kriteret ligjore kushtetuese të kandidatit të propozuar nga PS.

    Në orën 18:00 Kuvendi do të zhvillojë seancën për të ezauruar raundin e katërt. Këtë herë Kuvendi e ka një emër të depozituar, atë të Bajram Begajt. PS i ka votat për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, pasi në këtë raund mjaftojnë 71 vota.

    Sakaq, grupimi i Enkelejd Alibeajt ka deklaruar se nuk do të jenë në Kuvend për të votuar, ndërsa pjesa e PD e drejtuar nga Sali Berisha pohuan se do të jenë në sallë për të votuar kundër. Megjithatë, të dyja palët kanë kundërshtuar kandidaturën e Begajt.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!