×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Zgjedhjet në Shqipëri, në këto qytete ka pasur probleme në qendrat e votimit

    Reporteri
    25 Prill 2021 | 8:56

    Ndërsa procesi i votimit ka nisur zyrtarisht që në orën 07:00, në disa qarqe ka pasur vështirësi, e në disa prej tyre ende nuk kanë filluar qytetarët të votojnë.


    Siç njofton Top Channel, transmeton Reporteri.net, konkretisht probleme janë hasur në Lushnjë, Kavajë, Kukës, Devoll dhe Korçë.

    Në Lushnjë janë rreth 20 qendra votimit që nuk e kanë nisur votimin për shkak se në disa prej tyre ka mungesë të operatorëve dhe arsyeja tjetër është mosfunksionimi i pajisjeve identifikuese e kartave të identitetit.

    Në Kavajë procesi ka nisur normalisht, ndërsa në një qendër votimi, 2161 nuk po gjejnë ende zarfet dhe nuk ka filluar votimi, ndërsa në një qendër tjetër, 2125 pasi nuk punon identifikimi.

    Ndërsa në Kukës në tri prej qendrave të votimit ka pasur vonesë në funksionalizimin e pajisjeve elektronike për verifikim të qytetarëve me të drejtë vote.

    Devolli ka nisur me probleme ditën e zgjedhjeve, pasi disa komisionerë nga të treja partitë nuk janë paraqitur në sekondat e fundit dhe po zëvendësohen.

    Ndërkohë ka ndodhur një problem në disa qendra votimi në Mat pasi ka vështirësi në përdorimin e pajisjeve elektronike.

    Ndërsa në Korçë mësohet se një problem teknik ka ndodhur, pasi në qendrën e votimit e vendosur në Gjimnazin “Themistokli Gërmenji” është prishur pajisja e identifikimit biometrik.

    Po ashtu probleme janë hasur edhe në Dibër, pasi në disa qendra votimi ka mungesë dokumentacioni dhe kamerash.

    Në qendrën e votimit KZAZ 57 , Shkolla Petro Sota, në Sarandë janë hasur probleme me pajisjen që bën identifikimin elektronik. Në këtë qendër votimit pritet të votojnë 44265 qytetarë, 20922 femra – 23343 meshkuj. Pavarësisht këtij probleme ka vijuar procesi me regjistrimin manual të votuesve.

    Edhe në qendrën e votimit 4662/2 në kopshtin nr 1 Sarandë, nuk punon identifikimi biometrik i qytetarëve. Pajisja identifikon kartën e identitetit, por nuk punon versioni i identifikimit të gishtit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!