×
  • Lajme
  • Lajme

    Shqiponja gjigante vendoset në Podujevë në 20 vjetorin e çlirimit, vetëm pak kilometra larg kufirit me Serbinë

    Reporteri
    19 Qershor 2019 | 12:55

    Në 20 vjetorin e çlirimit të Komunës së Podujevës është përuruar memoriali “Shqiponja”, që është vendosur pak kilometra larg pikës kufitare me Serbinë.


    Ideja për vendosjen e këtij memoriali ka qenë e Florent Hasanit, i cili është edhe asamblist në Komunën e Podujevës nga radhët e Vetëvendosjes, ndërsa investitori është Muhamet Hasani. Në përurimin e këtij memoriali ka marrë pjesë edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa, i cili tha se nuk ka ndjesi më të mirë sesa kur nën intonimin e himnit kombëtar me të cilin e kanë përfunduar luftën e UÇK-së të gjenden para monumentit të “Shqiponjës”.

    “Po jetojmë në dekadën e parë të shekullit 21, shekulli 21 dekada e parë do të jetë fundi i armiqësive të shqiptarëve me shtete në rajon dhe të përkrahur edhe bashkërisht me NATO-në, ShBA-të dhe shtetet miqësore ne do të ndërtojmë një strategji të re e cila do të ndërtojë miqësi me të gjitha shtetet përreth. Kjo shqiponjë që sot do ta zbulojmë do të fluturojë e lirë, do të rrugëtojë e lirë bashkë me ne”, tha Mustafa.

    Në përurim ka marrë pjesë edhe gazetari Marin Mema. Ai tha se respekton veprën e luftëtarëve pasi shumë prej tyre mund të bënin jetë komode, por që kanë zgjedhur të luftojnë, të vdesin për kombin dhe për flamurin. “Për mua ky monument simbolizon pikërisht sakrificat, lotët, dhimbjet e nënave, baballarëve, e fëmijëve që ende sot e kësaj dite nuk kanë një varr ku të prehen, e fëmijëve, baballarëve, nënave dhe gjysheve që ende sot nuk dihet ku gjende dhe askush nuk e merr përgjegjësinë për ta. Por, në të njëjtën kohë ky monument për mua simbolizon edhe të ardhmen, duhet të tregohemi të aftë të ndërtojmë të ardhmen, askush nuk do të na fal asgjë, jemi vet ne që duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë, jemi ne vet që duhet t’i japim udhë asaj që na do zemra, pa e bërë këtë asgjë nuk do të ndodh. Për mua e ardhmja është absolutisht forcimi i ekonomisë tonë kombëtare, sepse nga aty nis gjithçka. Trojet shqiptare janë të pasura, por për fat të keq sot pasuritë e trojeve shqiptare grabiten, masakrohen, dhunojnë dhe ne sot po na ikin të gjithë të rinjtë në trojet shqiptare. Dhe kjo është e pafalshme, prandaj ne sot duhet t ë dimë të gjithë bashkë të ndërtojnë të ardhmen tonë, sepse kaluam luftën, sakrifica, qëndruam në këmbë dhe ky monumenti këtu është pikërisht simboli që ne jemi këtu në këmbë, por tash vërtet duhet të dimë të përballojmë një sakrificë tjetër, të ndërtojmë të ardhmen tonë”, tha Mema.

    Ai shtoi se nuk do të lejojë asnjëherë që dikush ta përçajë me vëllezërit e tij në Dardani, pasi sipas tij, gjakun e kanë bashkë dhe të ardhmen nuk mund ta ndal askush që ta kenë bashkë. Në përurimin e këtij memoriali nuk kanë marrë pjesë zyrtarë nga Komuna e Podujevës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!