Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se katër punonjës janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas njoftimit të SHSKUK-së, vendimi për suspendimin e katër punonjësve është marrë nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së, pas parregullsive të evidentuara.

“Për këtë çështje është diskutuar edhe në mbledhjen e tetë të Bordit Drejtues të SHSKUK-së, të udhëhequr nga kryesuesi Faik Shatri, ku drejtori i Përgjithshëm, Elvir Azizi, ka raportuar për masat e para disiplinore të ndërmarra”, thuhet në njoftim.

Reklamë

Bordi Drejtues ka kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme që në çdo mbledhje të raportojë për ecurinë e procedurave disiplinore dhe veprimet e ndërmarra.

Koha ka raportuar në vazhdimësi për mungesën e barnave dhe materialit shpenzues. Lidhur me mungesën e barnave, Kuvendi ka mbajtur interpelancë më 13 nëntor ani pse kjo nuk i ka dhënë zgjidhje kësaj çështjeje.