Lidhja Demokratike e Kosovës të hënën dorëzoi në ZRrE kërkesë për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë. Menjëher pas takimit të bajtur, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se në takim u është thënë “se vetëm qeveria mund ta shtyjë vendimin për shtrenjtimin e rrymës”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Lidhur me këtë kanë reaguar nga ZRrE-ja duke theksuar se vendimet për tarifat janë kompetencë ekskluzive e këtij institucioni, dhe jo të qeverisë
Sipas ZRrE-së, qeveria mund të ndikojë në uljen e ndikimit të faturave përmes mekanizmit të subvencimit tek konsumatorët, por jo për vendimin e tarifave.
“Për më tepër, ZRrE do të monitorojë çdo hap të këtij procesi, për të siguruar mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe për të garantuar që të gjitha palët e përfshira të respektojnë normat dhe standardet ligjore në fuqi”, thuhet mes tjerash në sqarimin e ZRrE-së të bërë në faqen zyrtare.
“ZRRE është institucion i pavarur, në kuadër të mandatit të dhënë me ligj, ka për detyrë rregullimin, mbikëqyrjen dhe monitorimin e sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës. Një nga funksionet themelore të ZRrE-së është shqyrtimi dhe miratimi i tarifave të energjisë, në përputhje me Metodologjinë tarifore dhe parimet e përcaktuara me ligj, si: transparenca, drejtësia, jo-diskriminimi dhe qëndrueshmëria financiare e sistemit energjetik.
Deklarimet se “vetëm qeveria mund ta shtyjë vendimin për shtrenjtimin e rrymës” janë të pasakta dhe nuk qëndrojnë në përputhje me kornizën ligjore që rregullon sektorin e energjisë. Vendimet për tarifat janë kompetencë ekskluzive e ZRrE-së, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka mandat ligjor për të anuluar apo shtyrë vendimet e ZRrE”, thuhet në reagimin e ZRrE-së.
Madje ZRrE sqaron se “Qeveria mund të ndikojë në uljen e ndikimit të faturave vetëm përmes mekanizmit të subvencionimit direkt te konsumatoret, por kjo nuk përbën vendimmarrje rregullative”.
Deputetja Bajrami para gazetarëve kishte thënë se ka pasur plotë arsyetime në takim lidhur me rritjen e çmimit të energjisë, dhe se siç kishte deklaruar ajo vetëm qeveria mund ta shtyente këtë vendim.
“Biseduam për një orë, gjerë e gjatë. Kishte plot arsyetime, nuk morën përgjigje pozitive për shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesës. Sipas tyre një vendim të tillë mund ta shtyjë vetëm qeveria, kushdo që është duke e ushtruar detyrën; sepse bëhet fjalë për 50 milion euro diferencë në çmim e cila duhet të vijë nga subvencionim nga paratë e shtetit, përndryshe e lënë vendimin në fuqi”, kishte deklaruar Bajrami.
/Reporteri.net/