Donald Trump është Presidenti i 47’të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Trump siguroi 277 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u zgjedhur president, duke mposhtur kështu kandidaten demokrate Kamala Harris, e cila mban pozitën e Nënpresidentes. Por, si u prit fitorja e tij në Kosovë?
Reporteri.net
Republikani Donald Trump do të kthehet sërish në Shtëpinë e Bardhë, prej ku do t’i udhëheq Shtetet e Bashkuara të Amerikës për katër vjetët e ardhshme. Trump mposhti kandidaten demokrate Kamala Harris, duke fituar 277 vota të Kolegjit Elektoral, apo shtatë më shumë se që nevojiteshin për t’u shpallur president.
Ende pa u shpallur zyrtarisht president, filluan urimet për të. Në mesin e liderëve të parë që e uruan ishte edhe Presidentja Vjosa Osmani.
Osmani e uroi për fitoren kur Trump kishte 267 vota elektorale, e tha se mezi pret të punojë me administratën e re për të thelluar aleancën me ShBA’në.
“Shtetet e Bashkuara mbesin partnere të palëkundura dhe të domosdoshme të Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re, dhe të thellojmë lidhjet tona unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë”, shkroi Osmani në platformën “x”.
Për fitoren e uroi edhe Kurti, ndonëse ai priti më vonë, kur u konfirmua fitorja e tij.
Kurti tha se Shtetet e Bashkuara janë aleat kyç i Kosovës dhe se pret që të punojnë bashkë për progress dhe paqe.
“Urime Donald Trump për fitoren në zgjedhe. ShBA’ja është një aleat kyç, mik dhe partner i Kosovës dhe në presim të punojmë bashkë për progres dhe paqe”, shkroi Kurti.
Ndërkohë, Kryeparlamentari Glauk Konjufca, teksa e uroi për fitoren, u shpreh i bindur se edhe gjatë mandatit të Trump do të shtyjnë përpara edhe më tutje synimet dhe interesat e Kosovës.
Ai tha se mezi pret që të fillojë punën me administratën e re amerikane për të thelluar edhe më tutje “raportet tona të shkëlqyera”.
“ShBA-ja është kryealeati ynë, me të cilin ndajmë vlerat, synimet dhe interesat, të cilat jam i bindur se do t’i shtyjmë përpara edhe më tutje gjatë mandatit të presidentit Trump”, shkroi Konjufca.
Në emër të Kosovës, Trumpin e ka uruar edhe Kryediplomatja Donika Gërvalla.
“Si aleat dhe mik i afërt, Kosova përgëzon Presidentin Donald Trump për fitoren e tij në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara. Ne poashtu përgëzojmë edhe të gjithë anëtarët e zgjedhur të Kongresit. Presim të vazhdojmë përpjekjet për paqe dhe stabilitet në regjion dhe më gjerë”, shkroi Gërvalla.
Urime e përgëzime për Trump, pati edhe nga opozita.
Ndër të parët që e uroi ishte Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Sipas Krasniqit, rizgjedhja e Trump është dëshmi e forcës së demokracisë amerikane.
“Lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkon gjithmonë përtej politikës. Roli i SHBA-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit është dëshmi e një raporti të ndërtuar mbi vlera, besim dhe respekt të veçantë. Ndërsa Kosova vazhdon përpjekjet që të ndërtojë një të ardhme më të mirë, ne ritheksojmë përkushtimin e plotë për forcimin e aleancës sonë më të rëndësishme, duke rifuqizuar raportet Kosovë – SHBA, përmes mundësive të reja për bashkëpunim, zhvillim, paqe e stabilitet në rajonin tone”, shkroi Krasniqi.
Ndërkohë, kandidati për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza, në urimin për Trump, tha se demokracia amerikane është shembull për botën.
“Zgjedhjet në Amerikë janë festë e mrekullueshme e demokracisë. I shpreh urimet më të përzemërta presidentit Donald Trump për fitoren e tij. I uroj për garën fer, si republikanët, ashtu edhe demokratët. Demokracia amerikane është shembull për botën. Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqësinë tonë të përhershme!”, shkroi Hamza.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se rikthimi i Kosovës në agjendën e Ëashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës.
“Në emër të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Presidentin e 47-të të SHBA-ve, Donald J. Trump për fitoren presidenciale në zgjedhjet amerikane! Rikthimi i Kosovës në agjendën e Ëashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-të ecja e Kosovës si shtet i ri e në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!”, tha Abdixhiku.
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kujtoi se si nën udhëheqjen e Trump, është krijuar Ushtria e Kosovës.
Ai u shpreh i bindur nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati më i fortë dhe i palëkundur.
“Në këtë rrugëtim për konsolidimin e shtetit dhe synimin tonë afatshkurtër drejt anëtarësimit direkt në NATO, mbështetja e SHBA-së mbetet kyçe. 🇺🇸🇽🇰”, tha Haradinaj.
Ish-Kryeministri Avdullah Hoti, njëherit deputet i LDK’së, e uroi Trumpin me një foto me të nga Zyra Ovale, që ishte shkrepur në shtator të vitit 2020.
Hoti tha se vetëm në koordinim dhe mbështetje nga Shtëpia e Bardhë, Kosova lëviz sigurt drejt integrimit euroatlantik.
“Populli i Kosovës është përherë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Miqësia e përhershme e popullit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një nga shtyllat kryesore të shtetësisë sonë. Duhet të thellojmë marrëdhëniet e veçanta midis dy vendeve. Vetëm në koordinim dhe mbështetje nga Shtëpia e Bardhë, Kosova lëviz sigurt drejt integrimit euroatlantik”, shkroi Hoti.
Ndërkohë, Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, njoftoi se ka qenë i ftuar në Mar A Lago, prej ku Trump përcjelli rezultatet e zgjedhjeve dhe u mbajtë festa e republikanëve.
Pacolli publikoi edhe një foto ku shihej Trump prapa tij dhe e quajti mik të madh të shqiptarëve.
“Miku i madh i shqiptarëve presidenti Donald Trump rizgjidhet në krye të shtetit më të fuqishëm të botës, në një fitore spektakolare. Ndjenjë e veqantë të isha i ftuar në Mar A Lago në festimin e kësaj fitore të madhe”, shkroi Pacolli.
Ndryshe, në moshën 78 vjeçare, Trump është presidenti më i moshuar që i ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke ia kaluar Presidentit aktual Joe Biden, i cili ishte 77 vjeç kur e mposhti atë katër vjet më parë.
Kur të bëjë betimin më 20 janar, Trump do të bëhet presidenti i parë amerikan që ka shërbyer si i 45-ti dhe i 47-ti president i Shteteve të Bashkuara.
Përgjatë fushatës zgjedhore, Trump ka çuar përpara gjithçka që lidhet me ekonominë.
Është zotuar për të luftuar inflacionin, dhe për ta bërë “Amerikën të përballueshme sërish”.
Tjetër pikë e nxehtë është imigrimi.
Trump është zotuar për ndërtim të plotë të murit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, të cilin e kishte premtuar edhe në mandatin e parë.