Sibel Halimi ka reaguar lidhur me lajmet e qarkulluara në media se ajo është larguar nga LDK-ja.
Në një reagim të bërë në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka mohuar largimin nga LDK-ja, por që nuk ka komentuar për dorëheqjen nga posti i zëdhënëses së kësaj partie.
Halimi tutje shkruan se do të vazhdojë rrugëtimin e saj në LDK, por pa treguar se në çfarë forme do jetë angazhimi i saj.
“Të dashur veprimtarë të LDK-së, lajmet për dorëheqjen time nga LDK janë të pavërteta. Angazhimin në LDK do ta vazhdoj me përkushtim të plotë, si gjithmonë! Faleminderit për përkrahjen tuaj në rrugëtimin tonë të përbashkët politik”, ka shkuar në Facebook.
Sot gjatë ditës, Gazeta Online Reporteri.net ka raportuar se Halimi është larguar nga pozita e zëdhënëses së kësaj partie, e bashkë me të edhe Shqipe Mjekiqi nga posti i nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së LDK-së.
Theksojmë se Sibel Halimi është anëtare e kryesisë së LDK-së.