×
  • Lajme
  • Lajme

    Sipas Melonit, Vuçiçi do vazhdojë ‘konstruktivitetin’ në dialogun Kosovë-Serbi

    Reporteri
    03 Dhjetor 2023 | 17:39

    Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në një konferencë për shtyp pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të dielën e 3 dhjetorit, ka thënë se beson se Serbia do të vazhdojë të ketë një “qasje konstruktive” ndaj procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

    Meloni ka qëndruar të dielën për vizitë në Beograd, ku përveç bashkëpunimit dypalësh në fusha specifike, ka diskutuar edhe për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

    Ajo ka theksuar se Italia e mbështet procesin e normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa ka kërkuar zbatimin e detyrimeve që palët kanë marrë përsipër në kuadër të procesit të dialogut.

    Gjithashtu, shefja e ekzekutivit italian ka njoftuar se në këtë takim një rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa ka shtuar se Italia mbështet rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane, duke ofruar edhe ndihmë në përmbushjen e kritereve të Komisionit Evropian (KE).

    “Për ne është e rëndësishme që Ballkani Perëndimor t’i bashkohet familjes evropiane. Italia do të jetë krah Serbisë. E di që Serbia do të vazhdojë të ketë një qasje konstruktive ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Italia e mbështet fuqimisht këtë proces dhe ne po punojmë që të zbatohen të gjitha detyrimet që palët kanë marrë përsipër”.

    Vizita e Melonit në Serbi është e para prejse ajo ka marrë drejtimin e Qeverisë së Italisë, megjithëse nuk është hera e parë që takon presidentit serb. Vizita e Melonit vjen në dritën e përpjekjeve të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve.

    Gjithashtu, vizita e kryeministres italiane vjen rreth 1 muaj pas ciklit të takimeve në Bruksel të Belgjikës, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, ishin takuar veç e veç me krerët e shteteve kryesore evropiane pas “stuhisë diplomatike” të emisarëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në përpjekje për ripërtëritjen e procesit të dialogut.

    Përfaqësuesit e shteteve kryesore të BE-së kishin shoqëruar Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në takime të ndara në Kosovë dhe Serbi në tetor, në një kohë kur tensionet ishin ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

    Meloni është angazhuar drejtpërdrejtë në procesin e dialogut, posaçërisht pas ngjarjeve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Meloni, së bashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, ka prezantur një draft-statut për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë./REL/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!