Kryeministri Kurti ka folur pas publikimit të një sekuence të telefonatës së shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila saj me terroristin Milan Radoiçiq.
Kurti tha se nuk e ka dëgjuar këtë incizim por tha se po tentohet të “dramatizohet situata”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Shefi i ekzekutivit para gazetarëve nuk tregoi nëse do të kërkojë largimin e Mimoza-Kusarit nga pozita që mban, teksa aludoi siç tha ai për një “situatë të montuar”.
“Unë vet nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radoiçiqin dhe e kanë shumë të qartë pse dikush ikë sot e dikur ishte në kryeministri. Ajo është një situatë e montuar dhe Radoiçiq këtë muaj i bën 9 muaj që ndodhet i lirë në Serbi dhe trysnia duhet të ishte atje që ai të dorëzohet”, tha kryeministri.
“Po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa biseda prej një sekuence që nuk e di kah është marrë dhe si është marrë e si është montuar”, vazhdoi tutje kryeministri.
I pyetur se a do të merren masa ndaj Kusari-Lilës pas këtij audio-incizimi, Kurti tha se Kusari-Lila nuk është anëtare e VV-së.
“Unë jam kryetar i VV-së dhe Mimoza nuk është anëtare e VV-së. Edhe po të ishte, për këso gjërash ka komisione. VV nuk e ka kryetarin diktator”, tha ai.
Protagonistja e bisedës me Radoiçiqin, gjatë ditës nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike nga gazeta online Reporteri.net.
Në publikimin e audio-incizimit gjatë vitit të kaluar, Simiq kishte pretenduar se Kusari-Lila kishte biseduar nëpërmjet telefonit me Radoiçiqin.
Shefja e grupit parlamentar të VV-së nëpër emisione televizive kishte mohuar se kishte folur në telefon me Radoiçiqin. Por asnjëherë qartë. Më vonë kishte deklaruar se ka folur me Radojçiqin vetëm pasi Simiq e kishte lëshuar në “internon” telefonatën me kriminelin serb gjatë takimit që kishte me Kusari-Lilën.
”Unë personalisht asnjëherë në jetë nuk e kam takuar. Unë nuk mund t’ia ndalojë Sllavko Simiq-it ta thërret Radoiçiqin. Ai ka lëshuar në interfon që ta dëgjojë për pakënaqësitë që ai i kishte me gjërat që ndodhnin në terren”, ishte arsyetuar Kusari-Lila në një deklaratë për Klan Kosova më 10 korrik 2023.
Në audio-incizimet e së hënës që i publikoi Nacionale, Simiq e telefonon Kusari-Lilën dhe i tregon se është bashkë me Radoiçiqin, të cilit ia kalon telefonin.
“Kolege, kemi ardhur te Milani, dëgjohu me të”, i thotë Simiq deputetes së VV-së.
“Në rregull”, ia kthen Kusari-Lila.
“Alo, (vendase) zemlajke, a po nihemi?”, e pyet Milan Radoiçiqi.
“Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila.
Radojçiq: “Qysh je? Qysh po kalon?
Kusari-Lila: “Qe, qe në Kuvend i kam pasur disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi”.
Sekuencën e bisedës e cila besohet se është zhvilluar në qershor të vitit 2022, e ka publikuar Nacionale.
Biseda ishte zhvilluar në kohën kur Milan Radoiçiqi ishte përfshirë në Listën e Zezë.
Një vit më vonë në fund të muajit shtator, Radoiçiqi ishte pjesë e grupit terrorist që sulmoi në Banjskë duke lënë të vrarë policin e Kosovës, Afrim Bunjakun.
Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve me njësitet speciale të Kosovës. Pjesa tjetër e grupit arriti të ikte në drejtim të Serbisë. /Reporteri.net/