Tashmë disa seanca plenare të Kuvendit të Kosovës, kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit për të kaluar projektligjet.
Në mungesë të kuorumit ka dështuar të miratohet propozim-rezoluta e Lëvizjes Vetëvendosje për të pagjeturit.
Vetëm 31 deputetët e partisë së Albin Kurtit votuan pro saj, ndërsa grupet tjera parlamentare u përmbajtën nga votimi.
Krahas kësaj, të zgjedhurit e popullit dështuan të miratojnë edhe gjitha projektligjet tjera që ishin në rend të ditës.
Ndërkohë ushtruesi i detyrës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu edhe nga foltorja e Kuvendit kërkoi shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanajt për deklaratat e tij për të pagjeturit.
Deputeti Aliu tha se zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj nuk është i mirëseardhur në Kuvend.
“Çdo ditë që kalon pa marrë pasa konkrete për largimin e Driton Selmanajt nga pozicioni i zëvendëskryeministrit të Qeverisë është dëmtim përveç edhe fyerje për viktimat e kryera të Serbisë në Kosovë. Andaj i apostrofuari këtu në Kuvend ne konsiderojmë se nuk është i mirëseardhur dhe ky është qëndrim i yni si grup parlamentar”, ka thënë ai.
Në mungesë të kuorumit nuk u miratuan në parim Projektligji për të drejtën ndërkombëtare private, ai për Këshillim Ekonomiko-Social, Inspektoratin e Punës.
Krahas këtyre nuk pati vota as për Projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike dhe Projektligjin për plotësim-ndryshimet e Ligjit për zgjedhje.
Deputetët në mbledhjen e sotme i vazhduan edhe për tre muaj mandatin Komisionit Hetimor për Hidrocentrale mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovë.