×
  • Lajme
  • Lajme

    Skandali në Spitalin e Pejës, Haxhiu: Përgjegjësit të shkarkohen dhe të ndiqen penalisht

    Autor:Linda Ibrahimaj
    23 Dhjetor 2022 | 16:49

    Autor: Linda Ibrahimaj


    Edhe sot ka vazhduar shkarkimi i personave përgjegjës lidhur me skandalin me foshnjën e pajetë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, ku nga detyra u “liruan” Shefi dhe Kryeinfermierja e repartit të Gjinekologjisë të këtij spitali, pas shtatë punonjësve që u shkarkuan dy ditë më parë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në reagimin e Spitalit të Pejës u tha se e gjithë ngjarja e ndodhur është pa qëllim dhe se ka ardhur si ‘mosrespektim i protokollit strikt të veprimit në raste të trajtimit të frytit të vdekur’.

    “Si vazhdim i masave disiplinore është shkarkuar Shefi i Repartit të Gjinekologjisë dhe Kryeinfermierja e Repartit të Gjinekologjisë, ndërsa që presim përfundimin e të gjitha procedurave tona disiplinore, por sidomos edhe gjetjet e autoriteteve ligjzbatuese të përfshira në hetim për të ndërmarrë veprimet e mëtutjeshme ndaj cilitdo të përfshirë në këtë rast”, bëri të ditur Spitali i Përgjithshëm i Pejës.

    Por, lidhur me këtë skandal, në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net ka folur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Për rastin në fjalë, Ministrja Haxhiu thotë se është një krim i rëndë çfarë ka ndodhur dhe se duhet të trajtohet me seriozitet të lartë nga institucionet e drejtësisë.

    Ajo tutje shtoi se secili zyrtar përgjegjës në këtë rast duhet të shkarkohet dhe të ndiqet penalisht.

    “Krimi që ka ndodhur në spitalin e gjinekologjisë në Pejë, është krim shumë i rëndë i cili duhet të trajtohet me seriozitetin më të larte nga institucionet e drejtesisë dhe secili zyrtarë përgjegjës duhet të shkarkohet dhe të ndiqet penalisht”, tha Haxhiu për Gazetën Online Reporteri.net.

    Çfarë ndodhi në 13 dhjetorin e së martës në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës?

    Nga pakujdesia e stafit të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, trupi i një foshnje të pajetë përfundoi i bërë “copa-copa”.

    Në lavanderinë e spitalit ku bëhet pastrimi i çarçafëve të repartit të gjinekologjisë, foshnja e pajetë ka përfunduar në lavatriçe.

    Ishte fillimisht babai i foshnjës ai i cili vuri re se diçka nuk ishte në rregull kur spitali siç thotë ai po ua shtyente marrjen e foshnjës së pajetë.

    Ai i tronditur thotë se ka parë me sytë e tij një punonjës të spitalit teksa ka mbledhur “copat” e foshnjës, ndërsa thekson se më pas ata ia kanë dorëzuar atë në një kuti.

    “Me datën 14 u hap rasti në polici, kemi pas me marrë në orën 12:00 me bë varrimin. E morëm foshnjën pas 5 orësh që e kemi pas të caktuar me marrë. E kemi marrë foshnjën me një kuti, në mënyrë mizore dhe e kemi dërgu për varrim. Policinë e kemi njoftu kur kemi shku me marrë foshnjën, pasi pamë që po ikin prej përgjegjësisë dhe po na shtyjnë marrjen e foshnjës, qaty kemi dyshu. Edhe vazhduam poshtë sepse i pamë lëvizjet e punonjësve aty, vazhduam prapa tyre dhe e pam që u shku njeri te lavatriçja dhe është duke i mbledhë copat e foshnjës, prej aty jemi kthy nalt në gjinekologji dhe e kemi lajmëru rastin në polici”, është deklaruar babai i foshnjës së pajetë.

    Ndërsa, në përgjigjen e Policisë u tha se me t’u raportuar rasti kanë dalur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe se tani po hetohet nga Prokurori i Shtetit dhe Inspektorët e Shëndetësisë.

    Se hetimet për rastin kanë nisur e kishte konfirmuar edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj i cili edhe konfirmoi se foshnja ka qenë e vdekur.

    Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës tha se prokurori e rastit e ka pritur në takim prindin e foshnjës, ku e ka informuar për të gjithë rastin.

    E, ata që u përfshinë në këtë rast, u suspenduan nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës me arsyen “lidhur me mënyrën se si është bërë ruajtja e fetuesit të vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e Fetuesit të vdekur tek familjarët”.

    Në njoftimin e bërë, thuhet se me qëllim që të bëhen hetime të papenguara dhe të detajuara, Spitali i Përgjithshëm i Pejës është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së rastit.

    Për këtë tragjedi të ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës nga pakujdesia e stafit të Gjinekologjisë, dje reagoi edhe Ministria e Shëndetësisë e cila shkarkoi nga detyra u.d e Kryeinspektorit, Shaban Osmanaj.

    Ministria e Shëndetësisë vlerësoi se në këtë rast “ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit. Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor”, ndërsa shprehin keqardhje për rastin.

    Me skandalin në Spitalin e Pejës të tronditur u shprehën dy liderët e partive opozitare.

    Memli Krasniqi nga radhët e PDK-së i shokuar nga ky rast, kërkoi nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, që sa më shpejtë ta emërojë Ministrin e Shëndetësisë.

    “Edhe çka tjetër duhet me ndodhë në Kosovë, që kjo Qeveri me marrë seriozisht shëndetësinë? Ku është ministri? Ku është drejtori i SHSKUK-së? Pse është tentuar që të fshihet ky rast? Vetëm tri javë më parë një grua u vra në oborrin e një institucioni shëndetësor publik. A i ka mbetur fije morali ndokujt në këtë Qeveri, apo të gjithë shikojnë vetëm postet dhe privilegjet personale? Caktojeni atë ministër sa më shpejtë, Kryeministër e dilni zot pacientëve. Krimi ta ka kapluar sektorin. I shokuar!”, kishte shkruar Krasniqi.

    Ndërsa lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku akuzoi Qeverinë si të paaftë dhe të papërgjegjshme, pasi siç tha ai, janë bërë 75 ditë që Kosova nuk ka ministër të Shëndetësisë.

    “Ndërsa, do të duhej të flisnim për spitale të reja, pajisje e barna më shumë, paga më të larta, shërbime më të denja e sigurime shëndetësore për qytetarë që shpenzojnë qindra miliona euro jashtë vendit – ne jemi në pritje të një ministri pas 75 ditëve”, thuhej në reagimin e të parit të LDK-së.

    Por, ndryshe nga opozita, reagim për këtë skandal nuk ka pasur nga krerët e shtetit./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!