×
  • Lajme
  • Lajme

    S’ndalet deputeti ukrainas: Pavarësia e Kosovës s’e shkel asnjë akt ndërkombëtar, s’u njoh kot nga 22 vende të BE-së

    Reporteri
    06 Gusht 2022 | 17:26

    Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko ka njoftuar në llogarinë e tij në Twitter se ka dorëzuar në parlament një rezolutë ku i bëhet thirrje Ukrainës që të njohë pavarësinë e Kosovës. Ai ka thënë se shumica e vendeve të BE-së e njohin tashmë Kosovën dhe se pavarësia e saj është konfirmuar edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

    “Dorëzova në Parlamentin ukrainas një rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ukraina ndan vlerat perëndimore dhe do të përkrahë demokracinë kudo në botë. Uroj që Ukraina të njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejtë të jetë e mundur”, shkroi ai në Twitter.

    Goncharenko zgjodhi llogarinë e tij zyrtare në Facebook për të shkruar pak me tepër rreth Kosovës.

    “Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së pranoi se shpallja e sovranitetit shtetëror të Kosovës nuk bie ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare, nuk shkel asnjë rezolutë dhe akt ndërkombëtar. Jo më kot, 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së, për të cilat ne përpiqemi, e kanë njohur tashmë Kosovën. Po ashtu Kosova njihet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania e Madhe”, shkroi Goncharenko.

    Sipas tij, një hap konsistent i Ukrainës tani do të jetë njohja e sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe shprehja e mbështetjes ndërkombëtare.

    Ai ka thënë se nuk ka asnjë lidhje situata midis Ukrainës dhe pseudo-republikave në Ukrainë me Kosovën.

    Goncharenko publikoi edhe një hartë me vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe të atyre që nuk e kanë njohur, duke pyetur se më “kë duhet të rreshtohemi”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!