×
  • Lajme
  • Lajme

    Sot një vit, Albin Kurti dhe Vetëvendosje fituan zgjedhjet

    Reporteri
    06 Tetor 2020 | 11:09

    6 tetori shënon ditën kur Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, dolën për herë të parë si fitues në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.


    Partia e Kurtit më 6 tetor 2019 mori 220 mijë e 811 vota apo 26,159 %, duke lënë pas vetës Lidhjen Demokratike të Kosovës me vetëm rreth 2% më pak vota se VV, shkruan Reporteri.net.

    Mijëra njerëz u mblodhën në Prishtinë mbrëmjen e 6 tetorit të vitit 2019, për të festuar fitoren e parë në zgjedhje parlamentare të VV-së.

    Votat që mori VV-ja nuk ishin të mjaftueshme për të formuar Qeverinë dhe kështu nisën bisedimet me LDK-në për një koalicion paszgjedhor.

    Koalicioni mes tyre shihej si mundësi e rrallë, pasi që VV dhe LDK para zgjedhjeve ishin në opozitë, teksa do formonin për herë të parë pas shumë vitesh një qeveri pa partitë e krahut të luftës.

    Negociatat mes tyre zgjatën katër muaj deri në ditën kur vendosën që së bashku të formojnë ‘Koalicionin e Shpresës’.

    Më 3 shkurt 2020 kryeministër i Kosovës do të zgjidhej Albin Kurti i Vetëvendosjes, për t’u rrëzuar më pas me mocion votëbesimi të iniciuar pikërisht nga partneri i koalicionit, LDK.

    Pas vetëm 45 ditësh bashkë në Qeveri, shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme i cili vinte nga radhët e LDK-së, Agim Veliu,  i dha fund koalicionit.

    Me ndihmën e partive tashmë opozitare, PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, LDK-ja arriti që ta rrëzonte Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

    Rrëzimi i Qeverisë Kurti la jashtë Kuvendit të Kosovës personin më të votuar në Kosovë në zgjedhjet e vitit 2019, Albin Kurtin, si dhe figurat kyçe në VV,  Glauk Konjufcën, Albulena Haxhiun, Haki Abazin e të tjerë që mbanin pozita udhëheqëse në ekzekutiv, shkruan Reporteri.net.

    Përmes disa letrave, presidenti Hashim Thaçi, kërkoi nga VV si parti e parë në zgjedhje, të dërgojë një emër të ri për kryeministër.

    Por këtë gjë nuk e bëri kreu i VV-së, Albin Kurti dhe si rrjedhojë e kësaj, Thaçi mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së për formimin e Qeverisë së re.

    Sot, një vit pas zgjedhjeve, me Qeverinë e Kosovës udhëheqë Avdullah Hoti, partia e të cilit arriti marrëveshje bashkëpunimi me AAK-në, NSIMA-n dhe Listën Serbe.

    Që nga mocioni i votëbesimit e deri më tash, VV vazhdimisht ka bërë thirrje që PDK ta mbështesë mocionin për rrëzimin e Qeverisë Hoti dhe të shkohet në zgjedhje të reja.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!