×
  • Lajme
  • Lajme

    Sot pesë vjet më parë Hashim Thaçi u bë president i Kosovës

    Reporteri
    26 Shkurt 2021 | 8:55

    Janë bërë pesë vjet kur Hashim Thaçi ishte zgjedhur president i vendit, shkruan Gazeta Online “Reporteri”.


    Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, u zgjodh president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike më 26 shkurt të vitit 2016.

    Ai fitoi me 71 vota në raundin e tretë, pasi në dy raundet e para nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve. Zgjedhja e tij u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare të cilat dy herë radhazi ndërprenë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.

    Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës njëri pas tjetrit diskutuan kundër zgjedhjes së Thaçit në postin e presidentit, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafa, për veprime të dëmshme kundër Kosovës. Në debatet e tyre, ata vunë theksin te marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë, si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

    Deputetët e opozitës shfaqën dyshimin se kandidati për president, Has him Thaçi, mund të ketë bërë lëshime të reja përballë Listës serbe në shkëmbim të votës së tyre në favor të zgjedhjes së tij.

    Derisa po zhvilloheshin raundet e votimeve, jashtë parlamentit, policia përdori gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë grupe protestuesish që hodhën shishe me benzinë në kundërshtim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues janë lënduar gjatë përleshjeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!