Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) njofton se sot do të bëhet publikimi i rezultateve paraprake të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024).
Konferenca e ASK-së do të mbahet prej orës 10:00.
“Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos2024) është një nga projektet më madhore të një vendi në kohë paqeje, i realizuar nga 05 prill deri më 24 maj 2024. Të dhënat paraprake përfshijnë numrin e popullsisë sipas gjinisë në nivel të komunave përfshirë trendët më të fundit demografike.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) falënderon të gjithë qytetarët e Kosovës për bashkëpunimin që kanë treguar gjatë këtij procesi, të gjithë stafin e përfshirë në Regjistrim, institucionet që kanë mbështetur këtë proces, si dhe të gjitha mediat për korrektësinë dhe raportimin e drejt gjatë gjithë procesit të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë (ReKos2024)”, thuhet në njoftim.
Më 24 maj, ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.
Drejtuesi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, kishte deklaruar numri i popullsisë ka kaluar shifrën 1.5 milion.
“Të dhënat në fund të muajit gusht të dhënat t’i publikojmë, por do ta bëjmë të pamundur t’i publikojmë në korrik. Statistikat 1.5 milion janë kaluar”, kishte thënë Kastrati.
Afati i regjistrimit të popullsisë ishte nga 5 prilli deri më 17 maj, ndërsa me kërkesë në disa komuna është shtyrë edhe për një javë, deri më 24 maj.
Shtyrja e afatit ishte bërë pasi mund të kishte individë, ekonomi familjare që nuk ishin regjistruar, si në Dragash, Prishtinë, Prizren, Drenas, Fushë Kosovë, Skenderaj, Obiliq, Ferizaj, Shtërpcë, Kaçanik dhe Gjakovë.
Këtë herë, procesi u zhvillua me disa ndryshime. Ai u zhvillua t edhe në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe përfshin formularë shtesë për dëmet e luftës.
Kushdo që e bojkotoi procesin rrezikon të gjobitet nga 20 deri në 2 mijë euro, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës./Reporteri.net/