Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ende nuk ka arritur të konstituohet plotësisht.
Një tentativë e tetë në këtë drejtim do të bëhet sot. Kjo do të jetë seanca e tetë çdo 48 orë, që nga 15 prilli, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Nga VV-ja e kanë bërë të qartë se nuk do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Në pesë votime, ajo s’ka marrë votat e nevojshme. Nga 61 sa duhen, Haxhiun e kanë votuar vetëm 57 deputetë.
Partitë e tjera qe disa herë i kanë kërkuar VV-së që ta ndërrojë kandidaten. Madje, janë përmendur disa emra që deputetë të partive tjera kanë shprehur gatishmërinë t’i votojnë. VV po insiston në emrin e Haxhiut.
Vetë Haxhiu ka thënë se nuk është optimiste se do të ketë ndryshim të situatës as ditën e sotme.
Sipas saj, s’ka vullnet për konstituimin e Kuvendit.
“Nuk jam shumë optimiste që situata do të ndryshojë në seancën e nesërme, pasi qëndrimet e subjekteve opozitare janë bërë të qarta publikisht. Për bindjen time, mungon vullneti për të konstituar Kuvendin dhe për të kaluar më tej në procedurat për zgjedhjen e Qeverisë”, ka thënë Haxhiu të hënën për Telegrafin.
Haxhiu ka thënë se Kushtetuta e Kosovës dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i japin të drejtë vetëm partisë fituese të zgjedhjeve që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Sipas saj, opozita po e refuzon jo vetëm kandidaturën e saj, por në disa raste edhe çdo kandidat tjetër të mundshëm.
“Në këtë situatë, LDK-ja ka deklaruar se nuk do ta mbështesë as Albulena Haxhiun e as ndonjë kandidat tjetër, ndërsa dy subjekte tjera kanë kërkesa për emra të tjerë”, përfundoi Haxhiu.
Haxhiu tha se janë të gatshëm që të flasin me partitë e tjera për datën e zgjedhjeve.
“Është e rëndësishme të konstituohet Kuvendi i Kosovës, VV-ja tashmë e ka dhënë qartë qëndrimin e saj, duket se ka mungesë të vullnetit të konstituohet Kuvendi, por ne jemi të gatshëm t’i presim partitë politike, të flasim me to për datën e zgjedhjeve”, ka thënë Haxhiu të premten.
Në këtë situatë është bërë bërë thirrje që presidentja Osmani të ndërmarrë iniciativë duke mbledhur liderët e partive në një takim të përbashkët për të gjetur një zgjidhje.
Presidentja Vjosa Osmani është shprehur e gatshme të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike.
Këshilltari për media, Bekim Kupina, tha se Presidentja është e hapur për konsultime me liderët e partive politike në çdo kohë që ata e konsiderojnë të përshtatshme.
“Presidentja Osmani tashmë ka ofruar gatishmëri të plotë për konsultime me liderët e partive, kurdo që ata e shohin të nevojshme. Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës z.Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme”, tha Kupina.
Seanca e sotme pritet të mbahet në ora 10:00./Reporteri.net/
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka deklaruar sot në seancën parlamentare se pret që Albulena Haxhiu të jetë përsëri në qendër të zhvillimeve politike.
“Mirëmëngjesi, a jeni lodhur, si e keni kaluar? A po pritni ju diçka ndryshe? Patjetër që është përsëri Albulena Haxhiu”, u shpreh Sveçla.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur pesimist se sot partia e parë mund të vijë me një propozim tjetër për kryeparlamentar.
Haradinaj para mediave tha se si parti kanë dhënë zgjidhje për një kandidat unifikues.
“Nëse ndërrohet kandidati mund të lëvizë diçka, përndryshe situata do të jetë e njëjtë. Kemi dhënë një zgjidhje për kandidatë unifikues, nëse kjo ndodhë me siguri se do të votohet. Ne kemi përmendur dy emra, por ka edhe emra të tjerë”, tha Hardinaj.
Para nisjes së seancës deputeti i VV-së, Hekuran Murati ka konfirmuar se Albulena Haxhiu do të jetë sërish e propozuara e VV-së për kryeparlamentare.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sërish ka zgjedhur të mos deklarohet para medieve, në kohën kur sot në Kuvend po mbahet seanca e tetë konstituive, shkruan Reporteri.net.
Nga Vetëvendosje kanë deklaruar se emri i Albulena Haxhiut për ta mbetet i pandryshuar, e madje po e cilësojnë se janë partitë tjera ato që po bllokojnë Kuvendin duke votuar kundër.
Të dielën, Albulena Haxhiu nuk mori për herë të pestë votat e mjaftueshme për Kryeparlamentare.
/Reporteri.net/
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj tha se PDK-ja nuk ka votë për Albulena Haxhitun në seancën e sotme.
Qalaj tha se duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët që të ecet përpara.
“Emri i Albulena Haxhiut te PDK-ja nuk kalon. Duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët që të ecet përpara sepse ky kandidat nuk kalon”, tha Qalaj para mediave.
Paraprakisht deputeti i VV-së, Hekuran Murati konfirmoi se Albulena Haxhiu do të jetë sërish e propozuara e VV-së për kryeparlamentare. /Reporteri.net/
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se krejt kjo situatë që po ndodhë në Kuvendin e Kosovës i konvenon Albin Kurtit, shkruan Reporteri.net.
Pak para seancës së tetë për konstituimin e Kuvendit, Zemaj tha se një barrikadim i till po shihet që është lojë politike e paaftësisë për të pasur shumicën parlamentare.
I konvenon kjo situatë Kryeministrit. Ka ditë që s’ka deklarim nga ana e tij. Një barrikadim që po shohet që është lojë politike e paaftësisë për të krijuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, tha Zemaj.
/Reporteri.net/
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati para vazhdimit të seancës konstituive ka konfirmuar se edhe në këtë tetativë të tetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit, do ta propozojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.
Murati tha se konstituimi i Kuvendit u takon të gjithëve dhe jo vetëm koalicionit qeverisës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Po shpresoj që sot të kemi një rezultat të kënaqshëm që të hapet rruga dhe të konstituohen institucionet e vendit. Patjetër që është emri i njëjtë, pra Albulena Haxhiu. Lus partitë pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës që me votën e tyre të marrin pjesë dhe të konstituohet Kuvendi sepse kjo është detyrë e të gjithëve. Ne në vazhdimësi kemi bë thirrje që të konsiderojnë votimin që të zhbllokohet procesi.
Konstituimi i Kuvendit u takon ë gjitha partive politike, nuk është çështje vetëm e një koalicioni qeverisës. Koalicioni qeverisës vlen vetëm për Qeverinë”, tha Murati para mediave. /Reporteri.net/