×
  • Lajme
  • Lajme

    Studentët sërish protestojnë para MASHT-it për bursat studentore

    Reporteri
    05 Nëntor 2019 | 12:51

    Me parullat në duar “Nënçmimi i Fakultetit të Edukimit = Nënçmimi i ardhmërisë së popullit”, “Kërkojmë përfshirje”, “Ministria e Arsimit s’ka bursa”, studentët e Fakultetit të Edukimit dhe studentët e Fakultetit të Shkencave Sportive kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit kundër konkursit të kësaj ministrie për bursat e studentëve.


    Përfaqësuesit e studentëve nga këto fakultete kanë kërkuar nga ministri Shyqiri Bytyqi që ta anulojë konkursin në të kundërtën kanë thënë se nuk i ndalin protestat, raporton Koha Ditore.

    Edison Bibaj nga Këshilli i Fakultetit të Arteve ka konfirmuar se nga sot studentët e këtij fakulteti e kanë bojkotuar mësimin.

    Bojkotimin e mësimit e kanë paralajmëruar edhe studentët e fakulteteve tjera nëse nuk anulohet konkursi për bursa.

    Përfaqësuesit e studentëve janë pritur në një takim nga ministri Shyqiri Bytyqi mirëpo kanë dalë pas pak minutave duke thënë se nuk kanë arritur asnjë marrëveshje.

    Studentët i kanë dhënë afat ministrit që deri nesër ta anulojë konkursin ne të kundërtën nga e ënjta kanë paralajmëruar vazhdim të protestave dhe bojkotim të procesit mësimor.

    Një ditë më parë para MASHT-it kanë protestuar edhe studentë të Fakultetit të Arteve, Fakultetit Filozofik dhe të disa drejtimeve të Fakultetit të Mjekësisë. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!